Aktuale Më shumë

Zgjedhjet në Tuz. Camaj: Fitorja, rezultat i punës së mirë katërvjeçare

Prej tvteuta19:32, 7 Mars 2023

Të dielen në komunën e Tuzit u mbajtën zgjedhjet e rregullta lokale, të dytat që pas formimit si komunë e pavarur.

Dita e zgjedhjeve kaloi pa probleme, ndërsa pas numërimit të rezultateve, motiv për të festuar kishte Forumi Shqiptar, koalicioni i përbërë prej subjekteve shqiptare, i cili mori mbi 51% të votave, apo 18 mandate.

Kjo arritje, sipas kryetari të LDSH, Nikollë Camaj, nuk është surprizuese, dhe është rezultat i punës së mirë katërvjeçare.

“Forumi Shqiptar punoi në realizimin e premtimeve në periudhën e kaluar, bile edhe përtej pritshmërive. Prandaj edhe votuesit na e dhanë përsëri besimin. Këtu duhet vlerësuar edhe kontributi i diasporës, e cila erdhi në numër të madh, por edhe krijoi një sinergji të paparë që na dha rezultat  edhe më të mirë se para katër viteve. “- thotë Camaj

Me 18 mandate Forumi Shqiptar nuk ka nevojë për partnerë në formimin e pushtetit lokale, por Camaj thotë se do ta vazhdojnë bashkëpunimin me ata që kanë pasur marrëdhënie të mira.

“Para katër viteve kishim nevojë për një mandat, të cilin e na e ofruan Demokratët, pa kushte. Por ne ftuam edhe Partinë Boshnjake me qëllim që të tregojmë respekt ndaj pakicave në mjedisin tonë., por që nuk na e kthyen me të mirë. Kësaj radhe kemi shumicën absolute dhe nuk kemi nevojën e askujt. Megjithatë,  jemi të hapur që të ofrojmë bashkëpunim me ato subjekte që ja duan të mirën Malësisë. “- thekson Camaj.

Në festimin e fitores, simpatizantët e Forumit Shqiptar përdoren simbole kombëtare shqiptare, çka ngjalli reagime të shumta negative, kësaj radhe më shumë nga simpatizuesit e partive por malazeze. Camaj thotë se ka ardhur koha ta kuptojmë se kur vjen puna tek shqiptarët, dallimi në mes nacionalizimt serb dhe malazez, është miniamal.

“Ne jemi popull në vendin e vet, autokton, dhe festojmë shqip. Sa më vonë ta kuptojnë , aq më keq për ta.” – thotë Camaj.

Komuna e Tuzit ka arritur mjaft në periudhën e kaluar, sidomos nëse marret parsysh se institucionet janë të reja dhe me mungesë përvoje. Megjithatë, ajo ende përballet me probleme të shumta, ndër të cilat më mediate janë përmirsimi i infrastrukturës dhe përfundimi i ndarjes territoriale me Podgoricën. Këto, por edhe zhvillimi ekonomik, thotë Camaj, do të jenë prioritet.

Rezultati i mirë i partive nacionale shqiptare në komunën e Tuzit, si tani ashtu edhe para katër viteve, tregon se bashkëpunimi i tyre është e vemtja mënyrë drejt suksesit. Në Ulqin gara gjithmonë ishte se kush do tu qasej partive malazeze, çka nuk pritet të ndryshojë së shpejti. Në Tuz ndikim të madh në bashkimin e partive shqiptare luajti edhe diaspora, por efekti i saj në Ulqin duket se nuk është aq i lartë. Megjithatë, dikur edhe Tuzi ndodhej në këtë pozitë, nuk ka arsye që Ulqini të mos e përsëris të njëjtin sukses.

  • 1

    Radio