Aktuale Më shumë

“Mali i Zi i afrohet me përgjegjësi anëtarësimit në NATO”

Prej tvteuta12:13, 17 Maj 2024

Mali i Zi vazhdon t’i afrohet me përgjegjësi anëtarësimit në NATO, që është një nga tre detyrat kyçe të politikës së jashtme të vendit, së bashku me procesin intensiv të reformës që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe ruajtjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore përmes forcimit të bashkëpunimit rajonal, tha ministri i Mbrojtjes Dragan Krapoviq.

Ai tha për portalin e Rrjetit Ballkanik të Sigurisë se pas ndryshimeve politike në Mal të Zi në vitin 2020, të gjithë përbërësit e qeverisë së re u angazhuan duke nënshkruar marrëveshjen e koalicionit që të vazhdojnë t’i qasen me përgjegjësi anëtarësimit në NATO dhe zbatimit të vendimeve që dalin nga kjo marrëveshje e politikës së jashtme.

“Kjo është veçanërisht e theksuar kur bëhet fjalë për Qeverinë e 44-të të Malit të Zi, në kuadër të së cilës unë jam Ministër i Mbrojtjes. Domethënë, pushteti aktual ekzekutiv ka gjurmuar qartë një rrugë të politikës së jashtme që përmban tre detyra kyçe, anëtarësimin e besueshëm në NATO, proces intensiv reformash me synim anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe ruajtjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore përmes forcimit të bashkëpunimit rajonal”, tha ministri.

Sipas tij, Mali i Zi sot është një anëtar i besueshëm i NATO-s dhe do të vazhdojë të modernizojë ushtrinë dhe sektorin e mbrojtjes në përgjithësi për të qenë në gjendje të kontribuojë aktivisht në sistemin e mbrojtjes kolektive.

“Ne do të kemi një bazë për një plan të tillë në buxhetin gjithnjë e më të madh të mbrojtjes, i cili këtë vit, sipas projeksioneve kombëtare, do të kalojë për herë të parë dy për qind të PBB-së dhe prej të cilave gati një e treta do të jetë e destinuar për modernizimin dhe pajisjen e Ushtrisë së Malit të Zi”, tha Krapoviq.

Ai tha se pjesëtarët e ushtrisë malazeze do të vazhdojnë të angazhohen në dy nga tetë grupet luftarake të NATO-s në krahun lindor të Aleancës, në Letoni dhe Bullgari, dhe se do të jenë të pranishëm në misionet në Kosovë dhe Irak në detyrat e ruajtjes së paqes dhe sigurisë jashtë kufijve të NATO-s, në misionin MINURSO të OKB-së në Saharanë Perëndimore dhe misionin e BE-së ATALANTA në ujërat e Gjirit të Adenit.

“Ka nisur procedura për pjesëmarrje në operacionin e NATO-s “Guardian of the Sea” në Mesdhe dhe në misionin e OKB-së në Qipro dhe në procedurë është edhe propozimi për marrjen e vendimit për pjesëmarrje në misionin e ndihmës ushtarake të BE-së në Ukrainë – EUMAM UA, të cilin anëtarët e Ushtrisë do ta zbatonin së bashku me ushtrinë sllovene në lokacione në Gjermani”, tha ministri.

Ai shtoi se Mali i Zi, përmes disa paketave ndihme, ofroi “mbështetje të rëndësishme politike, financiare dhe ushtarake për Ukrainën”.

“Ndihma e ofruar deri më tani është zbatuar përmes mekanizmave të NATO-s ose në baza dypalëshe. Dua të theksoj se në periudhën e ardhshme Mali i Zi do të vazhdojë të ofrojë mbështetje për palën ukrainase në përputhje me aftësitë e saj dhe në bazë të nevojave të Kiev”, tha ministri.

Duke komentuar marrëdhëniet në rajon, Krapoviq tha se marrëdhëniet e Malit të Zi me Bosnjë-Hercegovinën dhe Serbinë karakterizohen nga “mungesa e çështjeve të hapura, si dhe një ambicie e përbashkët evropiane”.

“Në marrëdhëniet dypalëshe ne insistojmë në respektimin e vendimeve kombëtare për politikën e brendshme dhe prioritetet e politikës së jashtme”, shtoi ministri i Mbrojtjes i Malit të Zi.

  • 1

    Radio