Rajoni/Bota Më shumë

Sot dy palë zgjedhje në Maqedoninë e Veriut, presidenti i ri “në dorën” e shqiptarëve

Prej tvteuta14:24, 8 Maj 2024

Në Maqedoninë e Veriut më 8 maj mbahen dy palë zgjedhje: rundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, si dhe zgjedhjet parlamentare.

Ato do t’i hapin rrugë formimit të Qeverisë së re nga partia fituese, e cila do të arrijë të sigurojë 61 votat e nevojshme për formimin e ekzekutivit të ri.

Dilema mbetet nëse të mërkurën do të arrihet të zgjidhet presidenti i shtetit, pasi ka një prag zgjedhor prej 40 për qind të daljes në votime.

Bazuar në rundin e parë të zgjedhjeve, më 24 prill, kur në garë ishin shtatë kandidatë, në zgjedhje dolën rreth 49 për qind e 1.8 milion qytetarëve me të drejtë vote.

Të mërkurën, në garë janë dy kandidatë, fituesja e rundit të parë,Gordana Silanovska-Davkova që fitoi 363.000 vota dhe presidenti aktual, Stevo Pendarovski, me 180 mijë vota.

Që të zgjidhet presidenti i ri, në zgjedhje duhet të dalin rreth 750.000 votues, apo në zgjedhje të dalin votuesit e kandidatëve që u eliminuan në rundin e parë.

Por, deri tani asnjëri prej tyre nuk ka dalë publikisht t’u bëjë thirrje votuesve të tyre që të dalin në zgjedhje duke ngritur dilemën nëse zgjedhjet do të arrijnë pragun kushtetues.

Nga kandidatët shqiptarë, më shumë vota në rundin e parë mori Bujar Osmani nga Fronti Evropian i kryesuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), gjithsej 120.000 vota. Ndërsa, Arben Taravari nga koalicioni opozitar VLEN, mori 83 mijë vota.

BDI-ja publikisht nuk ka dalë me qëndrim nëse do të mbështesë ndonjërin kandidat apo do të bëjë ftesë për bojkot, por eksponentë të saj, në rrjetet sociale në vazhdimësi kanë bërë thirrje që më 8 maj të bojkotohen zgjedhjet presidenciale.

Edhe nga koalicioni VLEN nuk kanë bërë thirrje për dalje në votime për zgjedhjen e presidentit, por bazuar në qëndrimet e drejtuesve të saj, dhe takimit të 6 majit të Arben Taravarit me kreun e VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, si edhe qëndrimeve të eksponentëve të saj në rrjetet sociale, atëherë votuesit e saj mund të dalin në votime për zgjedhjen e presidentit.

Por, që zgjedhjet të mos dështojnë, nevojitet që në zgjedhje të dalin edhe anëtarët e katër kandidatëve të tjerë, në veçanti të Maksim Dimitrievskit, i cili arriti të fitojë rreth 84.000 vota.

Nëse zgjedhjet dështojnë, atëherë mandatin partisë fituese të zgjedhjeve parlamentare do t’ia ndajë kryetari në detyrë i Kuvendit, Jovan Mitrevski, dhe më pas të nisin procedurat për zgjedhje të reja presidenciale.

Por, përsëritja e zgjedhjeve për kreun e shtetit do të organizohej nga Qeveria e re, e cila sipas kreut të opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski, do të përbëhet nga VMRO DPMNE-ja dhe koalicioni opozitar shqiptar VLEN.

Mickoski, më 6 maj, ka vizituar shtabin e opozitës shqiptare në Shkup për të promovuar koalicionin e ri qeveritar, ndërsa disa orë më vonë Taravari tha se për Qeverinë e re tashmë është rënë dakord.

  • 1

    Radio