Opinion Më shumë

QANI OSMANI: BALLKANI I HAPUR DHE GJEOPOLITIKA SERBE

Prej tvteuta22:43, 21 Gusht 2021

                        Nuk ka dyshim se nismat për bashkëpunim ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor janë të mirëseardhura, veçanërishtë në situatën kur 6 shtetet e tij (Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe Serbia) kanë mbetur pezull dhe larg mundësisë për t’u integruar në BE. Jo rastësisht në vitin 2014 lindi iniciativa e kancelares gjermane Angela Merkel, e njohur si Proces i Berlinit, qëllimi i të cilit qe bashkëpunimi rajonal në fushat e rëndësishme të jetës që do t’i shpiente vendet ballkanike më pranë dyerve të Evropës. Fillimisht gjithçka nisi mirë dhe gjërat lëvizën në drejtimin e duhur. U vendos komunikimi i munguar ndërmjet liderëve të Ballkanit, të cilët u takuan vite me radhë në mbledhjet e niveleve të larta të organizuara në Gjermani, Austri, Itali, francë…U ndërmorën dhenjë sërë aktivitetesh sendërtimin e të cilave e penguan kryesisht hasmëritë e vjetra, çështjet e pazgjidhura dhe pretendimet e përhershme ekspansioniste serbe ndaj Kosovës, Bosnjës e Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë.

Në këto rrethana me vështërsitë më të mëdha për integrimin mes shteteve të tjera të rajonit dhe anëtarësimin në BE ballafaqohet Kosova. Pavarësinë e saj akoma nuk e kanë pranuar pesë shtete anëtare të BE-së, Kurse Serbia, as pas krimeve monstruoze të bëra në Kosovë, nuk e dëshiron normalizimin e marrëdhënieve shqiptaro-serbe dhe nuk i ndal përpjekjet për ripushtimin me forcë të saj. Ajo prej vitesh ka vënë gjithçka në shërbim të synimeve serbomëdha, të armatimit dhe rritjes së forcës ushtarake, duke militarizuar kësisoj gjithë jetën e vendit. Asaj nuk i shkojnë për shtati politikat e BE-së që gjakojnë demokratizimin e mirëfilltë të shteteve anëtare, sundimin e së drejtës, heqjen dorë nga pretendimet territoriale ndaj fqinjëve. Pra, Serbia e pret momentin e duhur, e pret ndryshimin e balancës së forcave për ta kthyer Kosëvën nën kthetrat e saj.

Projekti më ri hegjemonist serb quhet “Bota serbe”. Është një projekt i vjetër me paketim dhe emërtim të ri, i cili e parasheh krijimin e një Serbie të Madhe. Ai është ideuar nga qarqet intelektuale, kishtare dhe politike serbe, kurse sot afirmohet nga historianë dhe nga ministri i brendshëm i Serbisë Aleksandar Vulin. Ky projekt, siç thuhet, parasheh “zgjidhjen e çështjes serbe”, dhe “pengimin e krijimit të Shqipërisë së Madhe”. Mali i Zi, Republika Srpska dhe një pjesë e Kosovës, sipas projektit, duhet t’i takojnë shtetit serb, ndërkaq Maqedonia e Veriut duhet të jetë kulturalisht njëfarë shteti satelit i Serbisë.

Ministri serb, Vulin, ka thënë: “Nuk është zgjidhje që të gjithë serbët të jetojnë në shtete të huaja, por shumica e serbëve duhet të jetojnë në shtetin e tyre”. Ky ministër me diskurs shovinisti, që shpesh i ka fyer shqiptarët, është quajtur edhe kloun politik. Sipas analistëve, çdo pushtet në serbi qëllimisht prodhon kloun politik për t’i afirmuar përcaktimet strategjike të politikës zyrtare serbe. Millosheviqi e kishte Sheshelin, kurse Vulini e afirmon atë që e mendon dhe nuk mund ta thotë Vuçiqi.

Projekti “Bota serbe” dëshmon se serbia nuk heq dorë nga ideologjia e vjetër. Për ta realizuar projektin nacionalist me paketim dhe emërtim të ri, ajo vazhdimisht ndërhynë në punët e brendshme të shteteve fqinje, armatoset, krijon probleme në rajon dhe shfaqet si “superfuqi” rajonale. Nga nxënësit e Sheshelit nuk mund të pritet diçka e re. Ata duan ta imponojnë projektin e ri edhe në dialogun me palën kosovare. E theksojnë se nga dialogu duan “të fitojnë diçka”. Kjo “diçka” është një pjesë të Kosovës. Ashtu sikurse kishte kërkuar Dobrica Qosiqi që në vitet e 90-ta dhe, siç shkruan në ditarin e tij, një kërkesë e këtillë kishte zgjuar interesim edhe te disa qarqe diplomatike.

Serbia e drejtuar nga pinjollët millosheviqianë e shfrytëzon pakënaqësinë aktuale të shteteve të tjera të Ballkanit perëndimor për ta ushqyer humbjen e besimit ndaj BE-së, që dorën në zemër, vërtet po e tepron me hezitimin për t’i pranuar në gjirin e saj edhe shtetet të cilave u thotë se i kanë përmbushur kriteret e kërkuara, si puna e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Kjo, natyrisht, nuk duhet të ishte assesi arsyeja e kryeministrit shqiptar, i cili, pas dështimit për shkaqet e sipërpërmendura të Procesit të Berlinit, pranoi të bëhet pjesë e Minishengenit, të ripagëzuar së fundmi si “Ballkani i Hapur”, në të cilin aderojnë vetëm Serbia, Maqedonia dhe Shqipëria, kurse jashtë saj kanë mbetur Kosova, Mali Zi dhe Bosnja e Hercegovina. Mjerisht, Edi Rama është bërë boria më e zëshme anti BE-së, në përpjekjen e tij qesharake për ta paraqitur Ballkanin e Hapur si alternativë të Procesit të Berlinit, që synonte përgaditjen dhe lehtësimin e inkuadrimit në BE, jo zëvendësimin e saj me sajesat që i shkojnë në favor vetëm forcimit të hegjemonizmit serb dhe shtrembërimit të imazhit të Kosovës para syve të botës-paraqitjes së saj si jobashkëpunuese me shtetet tjera të rajonit, madje dhe me shtetin amë, pjesë e të cilit ndoshta do të ishte prej kohësh po të ishim pak më shumë gjermanë sesa serbë.

Më paradoksale është e dhëna se kryeministri i Shqipërisë, përveç akuzave të pamatura drejtuar BE-së, përveç deklaratave arrogante që shkojnë përtej marrëzirave të Vuçiqit me të cilat ia bën me dije botës se vendet që shpikën fluskën Ballkani i Hapur, nuk janë në zor për inkuadrimin në BE, kritikon ashpër dhe kosovën që nuk pranon të kllumet në ujërat e shtonave serbe. I shndëruar në borizan të Vuçiqit, burrështetasi dymetrosh me kule që është i obliguar me Kushtetutën e vendit që “drejton” të përfaqësojë vullnetin e gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë ata, nuk denjon të sqarojë përse Kosovës dhe parësisë së saj aktuale nuk i është lënë asnjë mundësi për t’u bërë pjesë e dokrave serbe. Kjo sepse Serbia nuk e ka ndryshuar për asnjë qime të vetme qyrkun e Millosheviqit kur është në pyetje Kosova.

Vallë nuk i di këto gjëra kryeministri gjitholog shqiptar? A nuk e di se Shqipëria është katandisur nga shkaku i hajdutëve brenda qeverive shqiptare, si kjo e tija? A nuk e di se mijera djem të rinj shqiptarë detyrohen të sigurojnë me punë krahu ekzistencën e familjeve, duke u endur madje dhe rrugëve të fshatrave të shteteve të varfura të rajonit? A nuk e di se farsa Ballkani i Hapur i shkon për shtat vetëm Serbisë, e cila do ta përmbytë Shqipërinë me vërshimën e mallërave që nuk ia blen kush përveç nesh? A nuk e di se nuk ka çfarë të eksportojë në Serbi, sepse vendin që qeveris kokëmevete e ka lënë pa klasë punëtore, pa fabrika, pa uzina prodhuese? A nuk e di se nëpërmjet të drejtës së “lëvizjes së lirë” dhe blerjes së pronave ia hap dyert Serbisë dhe Rusisë që ta blejnë sa çel e mbyll sytë bregdetin dhe portet shqiptare? A nuk e di Rama se si vëllau i tij Vuçiqi nuk është njeri i paqes dhe stabilitetit në Ballkan me të cilin duhet të bësh kosmopolitin? Me injorancën time them se i di të gjitha, ndaj mbeten për t’u kuptuar mirëfilli vetëm shkaqet që e shtyjnë ta ngul thikën sërbe në shpinën e Kosovës.

   Qani  Osmani

  • 1

    Radio