Opinion Më shumë

Qani Osmani: Kohëzgjatja në postet udhëheqëse partiake

Prej tvteuta11:46, 23 Shtator 2021

KOHËZGJATJA NË POSTET UDHËHEQËSE PARTIAKE

Për shkak të prestigjit dhe privilegjeve të shumta që i mundësojnë pozitat e larta në hierarkinë partiake, është bërë dukuri e zakonshme që individët që gjenden në postet udhëheqëse të bëjnë ç’mos që t’i ruajnë pozicionet e fituara. Këto tendenca janë të karakterit universal, që do të thotë se vlejnë për të gjitha partitë politike. Nënkuptohet se kjo dukuri është më pak e shprehur te partitë që veprojnë në shtetet me traditë më të pasur demokratike, te partitë të cilat kan krijuar mekanizma statutare që u kundërvihen tendencave lidereske dhe autokratike, si dhe te partitë që nuk kanë ndonjë relevancë të theksuar shoqëror, me ç’rast udhëheqja më e lartë partiake dhe lideri kryesor nuk gëzon privilegje të veçanta etj.

Megjithatë mbetet fakti se pozitat e lakmueshme partiake janë shumë të këndshme “edhe funksionet partiake ashtu si funksionet shtetërore kanë një fuqi magjike”. Pozitat e fituara nuk lëshohen lehtë në qoftë se organet qëndrore janë ata që i përpilojnë listat e kandidatëve të mundshëm për funksione të larta shtetërore dhe publike. Në ato shoqëri ku rrethanat e krijuara u mundësojnë funksionarëve partiak të qëndrojnë mbi të tjerët, janë më të shprehura tendencat që çojnë drejt angazhimit të funksionarëve partiak që të mbeten me çdo kusht në pozicionet e fituara më parë. Në atë mënyrë dëmtohet demokracia, nga shkaku se rezultati i fundit zakonisht është ngushtimi i rethit dhe formimi i oligarkive partiake.

Kur flitet për tendencat që mundësojnë që personat e njëjtë të mbeten sa më gjatë në postet udhëheqëse në partitë politike, duhet patur parasysh atë, se tendencat oligarkike dhe tendencat monokratike janë shumë të pranishme. Në llojin e parë të organizimit, respektivisht në partitë politike me të cilat udhëheq një grup individësh, ndërrimi i liderit nuk nxit trazira më të mëdha në vet partinë. Ndryshe është gjendja me partitë politike monokratike ku ndërrimi i liderit sipas çdo logjike nganjëherë nënkupton ndryshime shumë më të mëdha në aspektin e ndërtimit të politikës partiake, nga shkaku se lideri i ri zakonisht tenton të identifikohet me diçka të re, që do ta shënojë periudhën e “sundimit” të tij me partinë dhe sipas kësaj edhe ndryshime të shumta në postet më të larta dhe më të rëndësishme partiake.

Krahas dallimeve të lartëpërmendura që pa dyshim janë shumë të rëndësishme për caktimin e nivelit të manipulimit dhe uzurpimit të të drejtave të anëtarësisë partiake, përsëri vlen të theksohet se, në të dy rastet formohet shtresa e udhëheqësve “të pazëvendësueshëm” dhe vështirë të “largueshëm” që e pengojnë zhvillimin e demokracisë brendapartiake, e sidomos që e pamundësojnë avancimin e kuadrave të reja duke provokuar konflikte të brendshme që e kanë për qëllim rindarjen e pushtetit dhe krijimin e pozicioneve brenda partisë (por edhe më gjërë).

Dukuria e “të pazëvendësueshmëve” është mjaft e shprehur në partitë politike në tranzicion, edhe në partitë politike në Mal të Zi, lëvizje të vërteta kadrovike edhe në qoftë se kanë ndodhur, ato janë karakteristikë e partive pa ndonjë relevancë të vërtetë shoqërore dhe politike. Shembulla të kësaj natyre kemi edhe te partitë politike shqiptare në Mal të Zi, ku rast i veçantë është Lidhja Demokratike në Mal të Zi (LDMZ) ku në mënyrë të përhershme në të kaluarën i kanë ndodhur turbulenca, por ajo që ka ndodhur në këtë parti është shumë vështirë të sqarohet nga dimensioni i demokracisë brendapartiake, por i qëndrimit autokratik të ish-liderit të saj. Mendoj se ajo që ka ndodhur me partitë politike shqiptare që kanë vepruar politikisht në Mal të Zi, ka qenë para se gjithash rezultat i futjes së përçarjeve “nga jashtë” në momentet kur partitë politike shqiptare në fjalë paraqesin forcë të vërtetë kombëtare, jo vetëm në Mal të Zi por edhe më gjërë.

Kur është fjala te partitë politike shqiptare në Mal të Zi, është karakteristike dhe me rëndësi të veçantë të thuhet se edhe pas humbjes së zgjedhjeve, oligarkitë dhe liderët e këtyre partive politike asnjëherë përpara anëtarësisë së tyre, simpatizuesve dhe opinionit më të gjërë nuk dalin me qëndrime të definuara për ate që ka ndodhur dhe çdo herë për mosrealizimin e objektivave partiake dhe për humbjet nuk ndjejnë kurrfarë përgjegjësie. Punën më të madhe që kanë bërë në praktikën e deritanishme të veprimit të tyre është formimi i komisioneve që “i analizojnë” rezultatet e dobëta gjat zgjedhjeve. Zakonishtë partitë politike shqiptare në krye të komisioneve vendosin “mëkatarët” më të mëdhenj, dhe tërë ajo punë nuk është asgjë tjetër përveç krijim i një mjegullire, me ç’rast anëtarët e rëndomtë të partisë nuk e shohin dhe nuk e njohin njeri-tjetrin. S’ka dyshim se këto komisione qëllim të parë dhe të fundit e kanë bindjen e anëtarësisë së gjërë partiake se “humbja e betejës nuk do të thot edhe humbje e luftës”. Brenda këtyre viteve të pluralizmit partiak ende nuk ka ndodhur që ndonji lider ose organ i lartë i partive politike shqiptare të jap dorëheqje për shkak të mosrealizimit të objektivave partiake. Çdoherë për mosuksesin e liderëve dhe oligarkive të partive politike shqiptare në Mal të Zi, fajtorë është dikush tjetër jashtë “oborrit të tyre”.

Liderët dhe bërthamat partiake të partive politike shqiptare në Mal të Zi edhe në aktet normative me një mjeshtri të madhe, e në mënyrë perfide, anëtarësisë së gjërë ia imponojnë kompleksin se ata janë të vetmit dhe të pazëvendësueshmit, kjo shihet qartë në qoftë se analizohen statutet e partive politike shqiptare pjesëmarrëse në jetën plurale të Malt të Zi, e para se gjithash në qoftë se analizohen kompetencat e liderëve partiak. Në të gjitha statutet ekzistuese të këtyre partive politike pa përjashtim parashihet mundësia e rizgjedhjes së kryetarit të partisë pa ndonjë kufizim kohor. Edhe pse deklarativisht ekziston mundësia që për krytar të partisë të garojnë më tepër kandidatë, diçka e tillë në praktikë rrall herë ose asnjëherë nuk ndodh.

Nga kjo që u tha më lartë lirishtë mund të përfundojmë duke konstatuar se armiku më i madh i demokracisë brendapartiake është anëtarësia e paarsimuar dhe politikisht jo e ngritur. Edhe pse kjo që u tha është tendencë që i ndjek partitë politike këmba-këmbës, assesi nuk do të thotë se nuk mund të krijohen mekanizma që me sukses do të mund ta luftojnë këtë dukuri brenda vetë partive politike. Në këtë rast do të cekë disa mekanizma të cilët me shumë sukses mund të aplikohen edhe në ambientin pluralo-partiak të Malit të Zi. E para, pa dyshim është vetëdijisimi i qytetarëve se partitë politike duhet patjetër të jenë në shërbim të tyre, e jo ata në shërbim të partive. E dyta, vetëdijisimi i anëtarësisë së gjërë se “sovraniteti partiak” del nga anëtarësia e gjërë dhe detyrimisht duhet t’i takoj asaj. Me fjalë të tjera, se anëtarësia e gjërë çdoherë në radhët e veta mund të gjejë lider partiak, ndërsa liderët partiak nuk mund të krijojnë anëtarësi kur të duan dhe si të duan. Dhe e treta, që është me një rëndësi të veçantë, anëtarësia e gjërë duhet me çdo kusht të insistojë të krijojë mekanizma statutarë nëpërmjet të të cilëve do të kishte mundur ta mbajë nën kontroll udheheqjen partiake dhe do ti kishte frenuar tendencat autokratike lidereske dhe oligarkike.

Gjithësesi për partitë politike që nuk janë të disponuara t’i respektojnë normat demokratike ku pa dyshim bëjnë pjesë edhe partitë politike shqiptare në Mal të Zi, duhet qartë të theksohet përgjegjësia e funksionarëve partiak dhe gjthsesi të kufizohet me statut qeverisja e tyre me partitë. Për partitë politike shqiptare dhe për rrethanat tona është shumë e dëmshme që me partitë politike të udhëheqin më gjatë se dy mandate nga katër vjet po të njëjtit persona. Është demagogji e skajshme mbetja në postet më të larta partiake në emër të përvojës dhe vazhdimsisë. “Përvoja” nuk është diçka e rezervuar nga perendia, atë e krijojnë praktika dhe përditshmëria politike. Nga cilado anë të analizohen gjendjet, shumë më të dobishëm për organizim politik të një shteti, kombi ose pjesë e kombit janë personat pa ndonjë përvojë të veçantë politike se sa personat e burokratizuar dhe të vetëdashuruar, të cilët mendojnë se me ta ka filluar dhe me ta duhet të marrë fund bota.

Qani  Osmani

  • 1

    Radio