Rajoni/Bota Më shumë

PE, sot rezolutë për Kosovën: Sanksionim i Serbisë për Banjskën!

Prej tvteuta15:47, 19 Tetor 2023

Parlamenti Europian pritet të dënojë ashpër sot sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, e duke e etiketuar si sulm terrorist e po kështu, do të kërkojë përgjegjësi nga Serbia nëse dëshmohet lidhja e drejtpërdrejtë e Beogradit me këtë ngjarje

Këto janë përfshirë në draft-rezolutën për zhvillimet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe zhvillimeve në veri të Kosovës, e cila u iniciua nga grupi politik i socialdemokratëve në PE, që e cilëson situatën si “jashtëzakonisht shqetësuese”.

Rezoluta e cila ka 29 pika, dënon ashpër “sulmin terrorist” ndaj Policisë së Kosovës nga “banda e armatosur serbe në mesin e operacionit më të madh të kontrabandës së armëve” në Banjskë në veri të Kosovës, i cili ndodhi më 24 shtator e që rezultoi me vrasjen e rreshterit të policisë Afrim Bunjaku dhe plagosjen e dy policëve tjerë.

Në tekstin përmenden rrethanat të cilat kanë ndikuar në rritjen e tensioneve në veriun e Kosovës, nga largimi i serbëve nga institucionet nëntorin e kaluar, bojkotimi i zgjedhjeve lokale të prillit në veri, e deri te vendosja e barrikadave dhe sulmeve ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve në fund të majit dhe sulmit të fundit në Banjkës.

Serbia kritikohet sakaq për disa veprime të saj, sic ishte mosdistancimi i qartë nga sulmi, lavdërimi i pjesëtarëve të grupit të armatosur të serbëve që kryen sulmin dhe shpallja e ditës së zisë në Serbi për tre agresorët e vrarë.

Përmes rezolutës së PE-së u bëhet thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të përpiqen për uljen e tensioneve, të përmbahen nga retorika apo veprimet që mund të rrisin tensionet dhe të veprojnë në zbardhjen e të gjitha fakteve lidhur me sulmin e 24 shtatorit, ndërsa ftohet Komisioni Europian dhe Këshillit të marrin masa ndaj qeverise serbe nëse hetimet dëshmojnë për lidhje të drejtpërdrejtë të shtetit të Serbisë me sulmin në Banjskë, ose nëse autoritetet serbe nuk shfaqin vullnet për bashkëpunim të plotë në procesin e hetimeve.

  • 1

    Radio