Aktuale Më shumë

Biden dhe Putin në bisedime për raportet e tensionuara

Prej tvteuta17:08, 16 Qershor 2021

Në Gjenevë të Zvicrës ka filluar samiti ndërmjet presidentit amerikan, Joe Biden dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin.

Me të filluar takimi, Biden tha se “gjithmonë është më mirë të takohemi ballë për ballë”, ndërsa Putin tha se shpreson që “takimi do të jetë produktiv”.

Bisedimet mbahen në një kohë kur raportet mes të dyja vendeve janë në pikën më të ulët që nga periudha e Luftës së Ftohtë.

Takimi i 16 qershorit mbahet vetëm disa muaj pasi presidenti amerikan tha se besonte se homologu i tij rus është një vrasës.

Biden është presidenti i katërt i SHBA-së që takohet me Putinin.

Që nga betimi i tij në pozitën e presidentit në muajin janar, Biden ka vendosur dy raunde sanksionesh ekonomike ndaj Rusisë.

 

Disa orë para se të fillonte takimi, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se bisedimet “nuk do të jenë të lehta” dhe mbase nuk do të shënojnë ndonjë përparim.

Marrëdhëniet mes dy vendeve janë përkeqësuar për vite me radhë, veçanërisht pas aneksimit të Krimesë në Ukrainë nga Rusia në vitin 2014, pastaj ndërhyrjen e saj në Siri dhe akuzat e SHBA-së për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016, që sollën Donald Trumpin në Shtëpinë e Bardhë.

 

Takimi i Bidenit me Putinin pason takimet me udhëheqësit e grupit të vendeve më të industrializuara G7 dhe me udhëheqësit e NATO-s, të cilat i ofruan mundësinë për t’i riafirmuar këto aleanca dhe për të paraqitur një front të bashkuar ndaj rivalëve globalë – përfshirë Rusinë.

Në fillim të udhëtimit të tij jashtë SHBA-së, Biden tha se me Putinin do të bisedojë për fushat ku mund të ketë bashkëpunim, si dhe për dallimet që i ndajnë dy vendet.
Ne nuk po kërkojmë konflikt me Rusinë; ne duam marrëdhënie të qëndrueshme të parashikueshme. Dy vendet tona ndajnë përgjegjësi të jashtëzakonshme”, tha Biden më 9 qershor.

  • 1

    Radio