Aktuale Më shumë

Tetë policë të arrestuar, kallëzim penal për 27 të huaj

Prej tvteuta14:40, 23 Prill 2024

Ministri i Punëve të Brendshme Danillo Sharanoviq tha se Departamenti i Kontrollit të Brendshëm të Administratës Policore në Podgoricë ka paraqitur një kallëzim penal kundër tetë policëve nga sektori i Policisë Kufitare për shkak të dyshimit të bazuar se ata kanë kryer vepra të shumta kriminale për një periudhë të zgjatur kohore duke marrë ryshfet, si dhe ndaj 27 shtetasve të huaj të ardhur nga Shqipëria, Kosova dhe Turqia, dhe të cilët në raste individuale kanë kryer po aq vepra penale duke dhënë ryshfet.

Më herët në mëngjes, siç tha Sharanoviq, me urdhër të prokurorit themelor të shtetit lidhur me rastin e përmendur, departamenti për kontroll të brendshëm të policisë ndërmori një sërë masash që rezultuan me arrestimin e tetë policëve.

Ai ka theksuar se zyrtarët e Departamentit për kontroll të brendshëm të policisë, me urdhër të ushtruesit të detyrës së prokurorit të shtetit, janë duke ndërmarrë masa dhe veprime të mëtutjeshme në kuadër të juridiksionit të tyre me qëllim të privimit nga liria 27 të huajve nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të ryshfetit për punonjësit e policisë në pikën kufitare Bozhaj.

Sharanoviq ka thënë se në këto momente lokalet zyrtare janë ende duke u kontrolluar.

“Po marrim informacione jozyrtare se përveç provave materiale që i kemi në dispozicion deri më tani, do të gjenden edhe prova të tjera materiale që do ta vërtetojnë edhe më tej këtë”, theksoi ai.

Ai ka theksuar se krimet e tilla nuk i kanë kryer individualisht, por në mënyrë të organizuar.

“Për momentin nuk mund të njoftoj në detaje, por do të bëhet e ditur për publikun në ditët në vijim”, ka thënë Sharanoviq.

Nga tetë policë të arrestuar, tha ai, shtatë prej tyre janë arrestuar në vendin e tyre zyrtar, ndërsa njëri prej tyre është arrestuar në Danillovgrad.

Sharanoviq theksoi se është e vërtetë që një polic u sëmur gjatë arrestimit.

Sharanoviq theksoi se momenti aktual shoqëror dhe fokusi i tyre në prioritetin absolut të Malit të Zi, që është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, janë arsyet kryesore pse ata kanë nisur një sërë mekanizmash kontrolli në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

“Jemi të vetëdijshëm se heqja e lirisë së dy ish-drejtorëve të policisë, ish-asistentëve të Drejtorisë së Policisë në sektorin e Antikrimit dhe shumë punonjësve të tjerë të policisë i ka ngarkuar shumë ata policë të nderuar, jemi të detyruar ta çrrënjosim korrupsionin”, theksoi ai.

Për përkujtim, Prokuroria Themelore e Shtetit në Podgoricë sot në mëngjes ka lëshuar urdhërin e Ministrisë së Punëve të Brendshme – Departamenti për Kontroll të Brendshëm Policor, për privimin e tetë zyrtarëve policorë të Sektorit të Policisë Kufitare (J.N., R.Z., Ž.I., E.D., P.M., B.I., R.V dhe M.D.).

  • 1

    Radio