Aktuale Më shumë

Fejziq: Pajtimi të përfshijë të gjitha elementet e shoqërisë

Prej tvteuta14:48, 6 Shkurt 2022

Sot u mbajt ceremonia e inaugurimit të reisit të Bashkësisë Islame në Mal të Zi, Rifat Fejziq. Duke bërë betimin dhe pas pranimit të Menshurës, ai tha se pajtimi duhet të përfshijë të gjithë elementët e shoqërisë malazeze.

Në këtë ceremoni morën pjesë delegacione të shumta të bashkësive islame nga rajoni, ku i pranishëm ishte edhe reisi i Republikës së Turqisë Ali Erbash.

Në fjalën e tij, Fejziq tha se menaxhimi i Bashkësisë Islame në Mal të Zi është nder i madh por po aq edhe amanet i madh para Zotit për pjesëtarët e komunitetit dhe shoqërisë në tërësi.

Ai shtoi se do t’u jetë gjithmonë mirënjohës atyre që e lavdërojnë punën e tij dhe, si edhe atyre që i kanë vënë në dukje gabimet e tij.

Fejziq theksoi se obligimi i Bashkësisë Islame në Mal të Zi është që të kontribuojë në respektin dhe mirëkuptimin e ndërsjellë, në një shoqëri multietnike siç është Mali i Zi.

Ne do të përpiqemi t’i kuptojmë të tjerët në mënyrë që të tjerët të na kuptojnë ne. Uniteti është një shtyllë kryesore e mbijetesës dhe përparimit në diversitetin tonë dhe në të njëjtën kohë një premtim i vlefshëm për të ardhmen e fëmijëve tanë. Kur flasim për pajtimin në shoqërinë malazeze, sipas mendimit tonë, ai pajtim duhet të përfshijë të gjithë elementët e shoqërisë sonë në atë mënyrë që çdo anëtar të ndihet jo vetëm i sigurt, por edhe i nderuar që i përket kësaj shoqërie. Bashkësia Islame është aty ku ka qenë – për të mirë me të gjithë, për të keq me askënd”, tha Fejziq.

Rifat ef.Fejziq në nëntor të vitit të kaluar, u rizgjodh kryetar i Bashkësisë Islame në Mal të Zi, në Kuvendin Zgjedhor të Trupit të posaçëm zgjedhor për zgjedhjen e Reisit,  e mbajtur në Podgoricë.

Si kandidat i dymbëdhjetë mexhliseve dhe i vetmi kandidat për reis, Rifat ef. Fejziq me votim të fshehtë, mori 45 vota nga 47 anëtarë të elektoratit të pranishëm, të përbërë nga anëtarët e Këshillit, Meshihatit dhe Këshillit Islamik të Bashkësisë Islame në Mal të Zi.

Rifat Fejziq e kryen funksionin e reisit që nga viti 2003. Ai u diplomua në Fakultetin Islamik të Universitetit Dokuz Eylul në Izmir,  flet edhe gjuhën turke, është i martuar dhe baba i tre fëmijëve.

  • 1

    Radio