Pse po vonohen investimet në ujësjellës dhe kanalizim

Prej tvteuta09:11, 25 Qershor 2020

Dy projektet madhore me vlerë të përbashkët rreth 25 milionë euro, njëri në ujësjellës dhe tjetri në kanalizimin e 5 lagjeve të qytetit, kanë pësuar vonesa serioze në realizimin e tyre. Këto vonesa për arsye të ndryshme, të cilët variojnë nga ato teknike e deri te ndoshta edhe politike, kanë bërë që grejs periudha 5 vjeçare, gjatë së cilës ato duhej të përfundonin, të kalojë pa filluar asnjë punim. Këto projekte janë kredi nga Banka Gjermane KfW dhe ajo Evropiane për Zhvillim, të cilët kanë zanafillë që prej vitit 2013, me marrëveshjet e para të inicuara në vitin 2015, por që prej asaj kohe shumë pak është lëvizur, kurse këstet e para vijnë për pagesë gjatë këtij viti. Kjo do të thotë se Komuna e Ulqinit, duhet të fillojë me kthimin e kredisë pa filluar fare punimet në realizimin e projektit. Sa i përket projektit më të vogël, atij prej 5 milionë euro në kanalizimin e 5 lagjeve të qytetit, Braticë, Mal i Bardhë, Totosh, Kodra dhe Fushë të Ulqinit, pjesa teknike ka përfunduar dhe në shtator të vitit të kaluar u nënshkrua edhe kontrata për kryerjen e punimeve, të cilët do ti bëjë kompania italiane Spiga. Megjithatë, edhe pse punimet duhej të fillonin në tetor, ato u zvarritën, kurse me fillimin e pandemisë së koronavirusit u ndërprenë komplet, dhe tani presin kohë më të mira. Problem më të madh paraqet investimi në ujësjellës prej 20 milionë euro, i cili duhej të shërbente për rikonstruktimin e plotë të ujësjellësit, dhe krjimin e kushteve për furnizim me ujë pa pangesa në të gjithë zonat e Komunës së Ulqinit. Kjo do të ndikonte që Ulqini nga ana infrastrukturore të krijonte kushtet për zhvillim të mëtejshëm si destinacion turistik. Por që prej fillimit projekti u përball me pengesa dhe zvarritje që çuan në vonesë gati 5 vjeçare, gjatë së cilës ai duhej të kishte përfunduar. Problem të madh përbën edhe fakti se kjo vonesë mund të çojë edhe në penalizime financiare për Komunën e Ulqinit, nëse deri në fund të vitit nuk arrihet të lëvrohet pjesa e parë e kredisë.

Në Lëvizjen Qytetare URA, thonë se këto vonesa mund të çojnë edhe në dështimin e gjithë projektit, por për këtë nuk pajtohen në pushtetin aktual.

Në lidhje me pengesat në realizimin e projektit dhe pasojat që ato kanë në Komunën e Ulqinit, ne kontaktuam sekretarin për veprimtari komunale Mustaf Gorana, i cili është edhe antar i komisionit për vlerësimin e procedurës së prokurimit publik, si dhe kryetarin e këtij komisioni, Vaso Radoviq, por të cilët u përgjigjen se nuk mund të japin deklaratë pasi prokurimi publik për këtë projekt është në procedurë dhe atyre nuk u lejohet prononcimi për këtë problematikë derii në përfundim të procedurës. Sekretari për financa Sead Osmanoviq tha se e gjithë kjo çështje nuk ka të bëjë me dikasterin e tij dhe se nuk mund të flasë për diçka që u takon sektorëve të tjerë.

Sidoqoftë, edhe nëse problemet menjanohen dhe fillohet me realizimin e këtyre projekteve, grejs periudha tashmë është humbur, dhe kjo vonesë do të rëndojë pikërisht mbi qytetarët e Ulqinit.

  • 1

    Radio