Aktuale Më shumë

Millatoviq në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore në Shkup

Prej tvteuta12:29, 12 Qershor 2024

Presidenti Jakov Millatoviq nesër do të udhëtojë për në Shkup, ku me ftesë të Presidentes së Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova, do të marrë pjesë në Samitin e Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive në kuadër të Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, njoftoi Kabineti i Presidentit.

“Me atë rast ai do të marrë pjesë në seancën plenare, gjatë së cilës do të diskutohet për zgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal”, thuhet në njoftim.

Në margjinat e Samitit, siç thanë ata, është planifikuar takim dypalësh mes Presidentit Millatoviq dhe Presidentes së Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova.

Kabineti i Presidentit rikujton se procesi i bashkëpunimit në Evropën Juglindore është korniza më gjithëpërfshirëse e bashkëpunimit rajonal e krijuar me qëllim të promovimit dhe forcimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore, dialogut, bashkëpunimit politik, të sigurisë dhe ekonomike ndërmjet vendeve të Evropës Juglindore.

SEECP përfshin 13 vende të Evropës Juglindore, të cilat tashmë janë anëtare të BE-së ose me perspektivë të integrimit në strukturat evropiane dhe euroatlantike.

  • 1

    Radio