Kuvendi sot për heqjen e imunitetit të Mandiq dhe Knezheviq

Prej tvteuta15 February 2017

Parlamenti i Malit të Zi sot, në seancë të veçantë, do të diskutojë mbi miratimin e propozimit për fillimin e procedurave penale ndaj deputetëve të Frontit Demokratik  Andrija Mandiq dhe Millan Knezheviq. Kjo kërkesë Kuvendit i është dorëzuar nga prokuroria Speciale që më datën 10 shkurt. Mandiq dhe Knezheviq dyshohen për veprën penale të krijimit të organizatës kriminale dhe përgatitjen e akteve kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Malit të Zi. Këshilli  Administrativ të hënën i propozoi Kuvendit të miratojë fillimin e procedimit penal dhe masën e paraburgimit për deputetët Mandiq dhe Knezheviq. Nga opozita në mënyrë joformale planifikohen edhe protesta para Kuvendit, por që do të karakterizohen si tubime të paorganizuara dhe kryesisht të përbërë nga aktivistë të Frontit Demokratik, shkruan Pobjeda. Po ashtu qarkullojnë zëra se vetë Knezheviq dhe deputeti tjetër i Frontit Nebojsha Medojeviq do të hyjnë në Kuvend për tu drejtuar kolegëve të tyre, por ato nuk janë konfirmuar zyrtarisht.