Politikë Më shumë

Kuvendi i Malit të Zi: Debate të ashpra në mes Abazoviq dhe deputetëve të PDS

Prej tvteuta18:38, 3 Dhjetor 2020

Në Kuvendin e Malit të Të Zi sot vazhduan diskutimet lidhur me programin e qeverisë së kryeministrit të caktuar Zdravko Krivokapiq. Ashtu si edhe një ditë më herët, përbërja e qeverisë dhe programi përsëri ishin nën shënjestër të kritikave si nga mazhoranca e re, ashtu edhe nga opozita. Edhe pse disa nga kritikat e ndëgjuara qëndronin dhe ishin të bazuara në argumente, pjesa më e madhe kishte të bënte me dëshirën e subjekteve të caktuara për tu pozicionuar brenda shumicës së re dhe për tu përgatitur për zgjedhjet e reja, të cilat priten të ndodhin para përfundimit të mandatit. Debati u nxeh  edhe më shumë pas fjalimit të liderit të URA-s Dritan Abazoviq, i cili kritikoi ashpër qeverisjet paraardhëse, të cilat i quajti anitkombëtare, të korruptuara dhe të lidhura me krimin e organizuar. Lidhur me përbërjen e qeverisë, Abazoviq tha se kandidatët nuk kanë vjedhur asgjë për dallim ga disa që ndodhen në Kuvend, ku theksoi humbjen e 10 milionë eurove për rastin “Limenka”, për çka tha se fajtorët do të përgjigjen. Duke iu drejtuar deputetëve të PDS, Abazoviq tha se qeveria  re është vullnet i popullit i arritur në zgjedhjet që nuk ishin të rregullta por të organizuara sipas vullnetit të shumicës së mëparshme, e cila edhe në ato kushte nuk arritit të fitonte. Kjo tha Abazoviq tregon më së miri fundosjen që ato kanë pësuar dhe se ky numër deputetësh që kanë në Kuvend do të jetë maksimuminë të ardhmen. Pas fjalimit deputetët e PDS replikuan duke kritikuar mënyrë se si Abazoviq iu drejtua atyre dhe akuzat e bëra. Deputeti Luigj Shkrela tha se nëse e mban fjalën atëher le të fillohet me procesimin e tij, dhe se nuk ka asgjë për të fshehur. Por përveç opozitës, Abazoviq u kritikua edhe nga disa deputetë të mazhorancës së re. Sllavko Radunoviq nga FD e akuzoi atë për hipokrizi dhe se gjatë gjithë kohës është munduar që nga qeveria të largojë njerëzit që do të punonin për kapërcimin e problemeve të vendit, dhe se në këtë përbërje, ai do ta ketë më të lehtë punën. Edhe  Millan Knezehviq kritikat e tija i kishte kryesisht për mospjesmarrjen e tyre në qeveri, për çka fajësoi të mandatuarin Zdravko Krivokapiq dhe vetë Abazoviq, duke theksuar se kjo është qeveri e tyre dhe jo e ekspertëve. Lidhur me programin e qeverisë foli edhe deputeti i Listës Shqiptare, Genci Nimanbegu, sipas të cilit prezantimi ka shumë fjalë të bukura por të cilat fatkeqësisht nuk trajtojnë çështjet e popujve pakicë. “Ata që do t’ju mbështesin nuk ju mbështesin. Ata që do t’ju mbështesin ju kritikojnë më shumë. Dua që të jemi përgjegjës në deklaratat politike, veçanërisht udhëheqësit politikë.. Të gjithë kanë nevojë për sundimin e ligjit, sidomos pakicat, sepse ne ndjehemi të diskriminuar dhe keni një përgjegjësi ta përmirsoni këtë “, tha Nimanbegu, duke shtuar se i dëshiron sukses qeverisë së re. Seanca e Kuvendit do të vazhdojë edhe nesër, kur pritet që qeveria të dalë për votim.

  • 1

    Radio