Karisma bën prezantimin edhe në Ulqin
Prej tvteuta7 October 2017
Pas Podgoricës, kompania Karisma Hotels and Resorts bëri prezantimin e planeve për Rivierën e Ulqinit edhe në qytetin tonë. Në sallën e Kuvendit Komunal, përveç përfaqësuesve të kompanisë Karisma, Rivierës së Ulqinit, dhe zyrtarëve lokal, ishin të pranishëm edhe një numër i madh personash nga sfera të ndryshme ekonomike të qytetit. Prezantimin e bëri drejtori për zhvillim i Karismës Nemanja Kostiq i cili tha se hapja e hotelit të rinovuar i cili do të ketë 4 yje, do të bëhet më së vonshmi me 15 prill të vitit të ardhshëm, duke e ngritur kështu ofertën turistike të Ulqinit në një nivel më të lartë. Kryetari i Komunës Nazif Cungu foli edhe për fatin e punëtorëve të Rivierës dhe tha se për këtë kanë biseduar edhe me përfaqësuesit e kompanisë. Ai shtoi se për të punësuarit ka një programtë caktuar për të cilin do të kenë të dhëna më të sakta në ditët e ardhshme. Sipas Cungut, përvoja e të punësuarve me privatizimet e kaluara ka qenë e keqe, prandaj edhe në këtë trast do të tregohen të kujdesshëm dhe do të jenë në krah të punëtorëve.