Politikë Më shumë

Axhemoviq: Kryetari Gjeka ka nënshkruar çdo fakturë të shpenzimeve të tepruara

Prej tvteuta15:41, 14 Dhjetor 2015

Sekretari për financa në Komunën e Ulqinit Valdet Axhemoviq, ka dërguar një deklaratë për media në lidhje me deklaratat e ditëve të fundit nga Kryetari i KomunësFatmir Gjeka dhe ai i Kuvendit Fuad Haxhibeti, në lidhje me shpenzimet e tejkaluara të buxhetit.

Në deklaratën vet, sekretari Axhemoviq thotë se tejkalimi i shpenzimeve të kabinetit të kryetarit Gjeka, për vitet 2014 dhe 2015 ka kapur shifrat e mbi 300.000 eurove.

Sekretari për financa bën të ditur se të gjitha këto faktura janë nënshkruar personalisht nga kryetari Gjeka, i cili me ligj është institucioni përgjegjës për përcjelljen dhe realizimin e buxhetit.

Siç thotë Axhemoviq, kryetari Gjeka një kohë të gjatë ka qenë edhe vetë sekretar për financa, dhe si i tillë duhej ti kishte të njohura normat ligjore të cilat duhej ti respektonte, prandaj habit fakti që këto nuk i përmend në deklaratat e veta por flet vetëm për Sekretariatin për financa.

Duke mos dashur të besoj se këto deklarata janë bërë me qëllime dashakeqe, thotë më tej Axhemoviq, por si rezultat i njohjes jo të mjaftueshme të rregullave ligjore në këtë fushë, i bëj thirrje Kryetarit të Komunës që të bëjë publike analizën e shpenzimeve të mjeteve të buxhetit, emrat e të gjithë personave të cilëve u janë paguar këto mjete, shumat që u janë paguar, emrat e atyre që janë përgjegjës për pagesën e këtyre mjeteve, si dhe procedurat që i u kanë paraprirë këtyre procedurave, pasi bëhet fjalë për mjetet e qytetarëve të cilët kanë të drejtë të dinë ku ato kanë shkuar.

“Ky është një apel dashamirës sepse besoj se vetëm në këtë mënyre Kryetari i Komunës do të largojë nga vetja dyshimin për shpenzime të pabaza të mjeteve të buxhetit”, thuhet në përfundim të deklaratës së sekretarit Axhemoviq.

  • 1

    Radio