Aktuale Më shumë

Vjedhjet e shpeshta në Ulqin. Policia: Asgjë e pazakontë, autorët kryesisht të huaj

Prej tvteuta17:00, 20 Nëntor 2022

Edhe pse qytetet bregdetare si Ulqini numrin më të madhe të krimeve, ku bëjnë pjesë edhe vjedhjet e sendeve personale, e regjistrojnë gjatë verës,  kohët e fundit numri i tyre është rritur edhe në periudhën e vjeshtës. Shefi i sektorit të policisë kriminale në Degën e Sigurisë në Ulqin, Blazho Qetkoviq, megjithatë  thotë se numri i vjedhjeve në periudhën e fundit është i zakonshëm dhe se autorët janë kryesisht të huaj.

“Është e vërtetë se në tre muajt e fundit ka pasur disa raste të tilla, në pjesën urbane por dhe në vendbanimet periferike, megjithatë, sipas statistikave tona, kjo është e zakonshme në këtë pjesë të vitit, duke qenë se fuqia punëtore mbetet pa punë. Në anën tjetër, me punëtorët vijnë edhe ata që synojnë të kryejnë vepra të tilla kriminale. Kemi pasur denoncime dhe po vijon shqyrtimi i disa rasteve të ndodhura në këtë periudhë , ndërsa disa i kemi zbardhur dhe një prej autorëve, i cili është shtetas i Shqipërisë, është ndaluar dhe dërguar para prokurorit përkatës. Mund të them se me përjashtim të një të mituri që i ka përsëritur këto lloj veprash penale, autorët janë kryesisht nga jashtë.”, thotë Qetkoviq.

I mituri në fjalë është autor i disa vjedhjeve, kryesisht në objekte tregtare, ku ka përfituar  nga mosvëmendja e punonjësve duke tjetërsuar para dhe sende me vlerë. Sa i përket vjedhjes së rëndë në lagjen Meterizi, Qetkoviq thotë se rasti është ende duke u hetuar.

Edhe pse për vjedhjet dëgjohen versione të shumta, Qetkoviq thotë se në shumicën e tyre nuk ka pasur hyrje me forcë, pasi hajdutët në përgjithësi i monitorojnë  objektet e aktivitetit të tyre dhe përfitojnë nga pakujdesia e banorëve. Ai apeloi tek të gjithë qytetarët që të jenë më të kujdesshëm, dhe çdo sjellje të dyshimtë ta regjistrojnë dhe ta raportojnë në polici, për të parandaluar me kohë raste të tilla.

  • 1

    Radio