Aktuale Më shumë

U botua libri “E meritojnë nderimin” i Gjekë Gjonajt

Prej tvteuta18:17, 30 Dhjetor 2021

Gazetari dhe publicisti Gjekë Gjonaj vjen para lexuesit me librin e ri publicistik “E meritojnë
nderimin (Figura shqiptare të shekullit XX)”, në të cilin ka përfshirë 36 personalitete të shquara
kombëtare të profileve të ndryshme nga trevat e banuara me shqiptarë nga Mali i Zi, Kosova,
Shqipëria dhe diaspora. Në mesin e tyre ka akademikë, gjuhëtarë, punonjës të arsimit, mjekë,
gazetarë, klerikë, rapsodë, afaristë dhe mërgimtarë.

Në parathënien e librit, autori tregon se qëllimi i tij ka qenë ndriçimi, respektimi dhe nderimi i figurave të njohura kombëtare, historike,arsimore, kulturore, fetare dhe atdhetare që kanë dhënë kontribut të paçmuar në vendosjen efateve historike të atdheut, duke bërë që vepra dhe kontributi i tyre të mos harrohet kurrë.

Libri është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, me mbështetjen e
Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave, ndërsa është shtypur në
shtypshkronjën IVPE – Cetinë. Redaktor i librit është Dr. Nexhat Avdiu, recensent Mr. Mark
Lucgjonaj, redaktor teknik Gazmend Çitaku, kurse ballina është disenjuar nga Rajmond Gjonaj.

Gjekë Gjonaj ka botuar më herët librat: “Prekë Cali, piramidë e kufijve të Shqipërisë”
(monografi), “Njëmendësi shqiptare”, “Gjurmëve të kohës”, “Shqipet e maleve”, “Identiteti
etnolinguistik dhe kulturor i shqiptarëve”, “Bijtë e shqipes”, “Deputetët shqiptarë në Malin e Zi
në periudhën e komunizmit 1946-1990”, “Zgjedhjet parlamentare dhe deputetët shqiptarë në
Malin e Zi në periudhën e pluralizmit 1990-2016”. “E meritojnë nderimin (Figura shqiptare të
shekullit XX)” është libri i tij i nëntë.

  • 1

    Radio