Sporti Më shumë

Struga me mision historik në Podgoricë, synohet turi i tretë

Prej tvteuta13:00, 1 Gusht 2023

Mesjava ‘nxehet’ edhe më shumë në ekranin e SuperSport, teksa emocionet e eliminatoreve europiane nisin që në mbrëmjen e të martës me sfidën Buducnost-Struga.

Ndeshja e vlefshme për turin e dytë eliminator të Conference League, që do të luhet në ‘Gradski Stadion’ të Podgoricës, do të transmetohet live dhe ekskluzivisht në ekranin e SuperSport 2.

Skuadra kampione e Maqedonisë së veriut, e drejtuar nga trajneri Shpëtim Duro, fitoi me rezultatin minimal 1-0 ndeshjen e parë, të zhvilluar më 26 korrik në stadiumin e Ohrit, e cila gjithashtu u transmetua në ekranin e SuperSport.

Struga do të kërkojë të mbrojë avantazhin e marrë në Ohër me golin e Besart Ibraimit, për të siguruar kalimin në turin e tretë eliminator të Conference League, që do të ishte një arritje historike për kampionët e Maqedonisë, të cilët garojnë këtë vit për herë të parë në kompeticionet europiane.

Pavarësisht eksperiencës së paktë në grup, skuadra shqiptare e Maqedonisë së Veriut udhëton drejt Podgoricës me besim dhe dëshirë për t’u kualifikuar, teksa tifozët që nuk do të mund ta ndjekin dot pas, do të mund të shijojnë sfidën në ekranin e SuperSport 2, në orën 21:00.

  • 1

    Radio