Aktuale Më shumë

Shkon në 174 numri i të vdekurve nga trazirat në ndeshjen e futbollit në Indonezi

Prej tvteuta11:53, 2 Tetor 2022

Së paku 174 persona kanë vdekur në trazirat në një ndeshje futbolli në Indonezi, raporton BBC.

Kjo po shihet si një prej katastrofave më të mëdha që ka ndodhur ndonjëherë në një ndeshje futbolli.

Shumica e tifozëve vdiqën nga asfiksia dhe shtypja.

Tifozët ishin futur në fushë për t’u përleshur pas ndeshjes të së shtunës ku skuadra Arema FC pësoi 3:2 në shtëpi nga Persebaya Surabya, ndeshje e Premier Leagues së Indonezisë.

Policia përdori gazin lotsjellës për të qetësuar turmën, por kjo shkaktoi tollovi të madhe, ku tifozët vrapuan në drejtim të derës së daljes dhe aty ndodhën vdekjet e lëndimet nga asfiksia dhe shtypjet.

Ministri i Sigurisë i Indonezisë ka thënë se në stadiumin, që pranon afro 38 mijë tifozë, ishin afro 4000 tifozë më tepër.

Presidenti i Indonezisë, Joko }idodo, ka urdhëruar që të gjitha ndeshjet e Premier Leagues së Indonezisë të ndalohen derisa të përfundohet hetimi.

Në video shihen tifozët duke vrapuar në fushë pas përfundimit të ndeshjes.

Policia më pas hodhi gaz lotsjellës, duke çuar në skena kaosi.

“Doli nga kontrolli. Sulmuan policët, dëmtuan veturat”, ka thënë shefi i Policisë së Javas Lindore, Nico Afinta, që ka konfirmuar se dy policë janë në mesin e të vdekurve. “Dua të them se jo gjithë tifozët ishin anarkik. Vetëm ata afro 3000 që u futën në fushë”.

Federata Botërore e Futbollit (FIFA) thotë se nuk duhet përdorur gaz për të kontrolluar turmën gjatë ndeshjes së futbollit.

Asociacioni i Futbollit të Indonezisë (PSSI) ka thënë se do të nisë hetimet, ndërsa ka shtuar se incidenti “ka njollosur fytyrën e futbollit të Indonezisë).

Dhuna në ndeshjet e futbollit të Indonezisë nuk është e panjohur, veçanërisht mes rivalëve Arema FC dhe Persebaya.

Tifozëve të Persebayas u ishte ndaluar blerja e biletave për këtë ndeshje nga frika për përplasje.

  • 1

    Radio