Aktuale Më shumë

Rritet numri i qytetarëve që përkrahin fuqishëm anëtarsimin në BE

Prej tvteuta19:12, 21 Janar 2022

Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Mal të Zi Oana Kristina Popa tha se numri i qytetarëve që mbështesin fuqishëm anëtarësimin e Malit të Zi në BE ka arritur në 41.7 për qind. Ajo theksoi se shumica dërrmuese e qytetarëve malazezë ende e perceptojnë BE-në si donatorin më të madh për Malin e Zi dhe partnerin e tij më të afërt politik dhe ekonomik. Gjatë prezantimit të hulumtimit “Qëndrimet e qytetarëve për integrimet evropiane dhe procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, ajo tha se hulumtimi jep edhe sinjale paralajmëruese që nuk duhen anashkaluar, duke thënë se për herë të parë më shumë se gjysma e të anketuarve konsiderojnë  se ritmi i procesit të pranimit të Malit të Zi në BE, është i ngadalshëm ose i pamjaftueshëm.

“Kjo do të thotë se qëndrimet shumë pozitive dhe një nivel i lartë entuziazmi kur bëhet fjalë për të ardhmen evropiane të Malit të Zi nuk mund të merren si të mirëqena,” tha ajo. Kryenegociatorja Zorka Kordiq theksoi se fakti që 80 për qind e qytetarëve në referendum do të votonin për anëtarësim në BE , tregon se qytetarët e shohin atë si një projekt që paraqet përfitim për shoqërinë. Hulumtimi është kryer nga agjencia “DeFacto”, në periudhën nga 19 nëntori deri më 4 dhjetor, në një kampion prej 1000 qytetarësh.

Rritje ka pasur edhe në numrin e qytetarëve që kryesisht mbështesin anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian, shifër që tani ndodhet në 74.6 për qind. Si arsye kryesore për anëtarësimin në BE, 49 për qind e qytetarëve kanë deklaruar standardin më të mirë të jetesës, ndërsa 14,3 për qind kufijtë e hapur dhe mundësinë e udhëtimit pa vizë në BE dhe vende të tjera.

  • 1

    Radio