Aktuale Më shumë

Qeveria pa lobistë në SHBA, të mëparshmet shpenzuan miliona

Prej tvteuta13:12, 25 Mars 2024

Qeveria e Malit të Zi aktualisht nuk ka një kompani lobuese të angazhuar në SHBA. Sipas faqes së internetit të Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj (FARA) pranë Departamentit Amerikan të Drejtësisë, kontrata e fundit ka qenë me kompaninë “Bipartisan solutions”, të analistit politik amerikano-izraelit Mitchell Barak.

Kontrata e fundit është nënshkruar më 23 dhjetor 2022 dhe është ndërprerë në fund të majit 2023 nga Qeveria e kryeministrit të atëhershëm Dritan Abazoviq. Që atëherë, asnjë kontratë e re nuk është nënshkruar.

Tarifa mujore e rënë dakord për shërbimet ishte 35,000 dollarë. Kjo shumë mbuloi të gjitha shpenzimet, përveç udhëtimit të kthimit të përfaqësuesve të Bipartizan Solutions në Podgoricë, thuhet në dokumentin e publikuar në faqen e internetit të Qeverisë malazeze.

Qeveria malazeze i pagoi Barakut pak më shumë se 206.500 dollarë për një gjysmë viti angazhim.

Ai ka raportuar se gjatë periudhës së lobimit për Malin e Zi ka pasur më pak se 140 mijë dollarë shpenzime, nga të cilat më shumë se gjysma kanë qenë shërbime të kompanisë tjetër të Barakut “Keevoon”.

Rreth 26 mijë dollarë janë shpenzuar për analizat e grupit konsulent “Watermark”, mbi 20 mijë fluturime nga Izraeli në Amerikë me akomodim dhe mbi 10 mijë për qira zyrash.

Si për kujtesë, kontratat e lobimit janë një praktikë e zakonshme në SHBA dhe detajet rreth tyre publikohen në faqen e internetit të Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj të Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së (FARA).

  • 1

    Radio