Aktuale Më shumë

Millatoviq priti përfaqësuesit e listave zgjedhore: Dialogu është vendimtar

Prej tvteuta17:33, 29 Maj 2023

Ditën e sotme u mbajt takimi i përfaqësuesve të listave zgjedhore me presidentin e Malit të Zi Jakov Millatoviq, i thirrur para disa ditëve me ftesë të vetë presidentit. Takimi u organizua me qëllim të fillimit të dialogut politik, dhe siç theksoi Millatoviq në ftesën e tij, do të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve.

“Kemi pasur një takim konstruktiv. Dialogu i brendshëm është vendimtar për të kapërcyer disa pengesa, të cilat aktualisht ndalojnë zhvillimin e Malit të Zi, veçanërisht në pjesën që ka të bëjë me gjyqësorin, por edhe në atë që ka të bëjë me kohezionin social dhe ekonominë e qëndrueshme. Për përparimin e Malit të Zi, kohezioni rreth drejtimeve kyçe të zhvillimit të vendit është i rëndësishëm dhe kjo çështje është shumë më e madhe se shumica parlamentare”, u tha Millatoviq gazetarëve pas takimit.

Në takim morën pjesë edhe bartësit e dy listave shqiptare, Nik Gjeloshaj dhe Genci Nimanbegu. Ky i fundit tha se në takimin me presidentin ka përcjellë një mesazh të qartë – Aleanca Shqiptare kërkon dialog. “Ne nuk duam që shumë probleme të fshihen nën tapet. Kohët që po vijnë do të krijojnë kushtet për të zgjidhur çështje që deri më tani, për shkak të problemeve të mëdha mes dy komuniteteve, nuk kemi mundur t’i zgjidhim. Vlerësoj se ne do të punojmë vazhdimisht për barazi dhe përparim të Malit të Zi”, u tha Nimanbegu gazetarëve pas takimit.

Përfaqësuesit e listave të tjera e vlerësuan takimin si konstuktiv dhe një hap të mirë drejt vazhdimt të dialogut politik në vend. Në takim megjithatë nuk morën pjesë të gjitha listat. Ftesën e refuzuan nga koalicioni “Për të ardhmen e Malit të Zi”, Partia Socialdemokrate dhe lista e ish minitrit të drejtësis Vlladimir Leposaviq.

  • 1

    Radio