Aktuale Më shumë

Komisioni Kushtetues propozon sot gjyqtarët

Prej tvteuta07:41, 7 Shkurt 2023

Komisioni Kushtetues i Kuvendit të Malit të Zi do të përcaktojë sot propozimin për zgjedhjen e katër gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në bazë të thirrjes publike të datës 25 dhjetor.

Përfaqësuesit e qeverisë dhe opozitës arritën një marrëveshje për përzgjedhjen e tre kandidatëve për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe partitë e kombeve minoritare duhet të bien dakord për të katërtin.

Sipas informacioneve jozyrtare, pritet që për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të propozohen zëvendës avokati i popullit Snezhana Armenko, gjyqtarja e Gjykatës Themelore të Kotorrit Momirka Teshiq dhe ish-Mbrojtësja e Interesave Pronësore dhe Juridike Dragana Gjuranoviq.

Vendimin përfundimtar e merr parlamenti malazez me dy të tretat, ose tre të pestat e votave të deputetëve.

Në votimin e fundit në Kuvend, asnjë nga katër kandidatët e propozuar për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese nuk mori shumicën e kërkuar, as në raundin e parë dhe as në raundin e dytë të votimit.

Gjykata Kushtetuese, nga gjithsej shtatë, ka vetëm tre gjyqtarë dhe që nga shtatori i vitit të kaluar nuk ka kuorum për vendimmarrje.

Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese zgjidhen nga Parlamenti i Malit të Zi për 12 vjet.

  • 1

    Radio