Aktuale Më shumë

Interi fiton Kupën e Italisë

Prej tvteuta08:58, 12 Maj 2022

Skuadra e Interit ka fituar Kupën e Italisë për këtë sezon, pasi në ndeshjen finale mposhti fituesin në fuqi të kësaj gare, Juventusin.

Në duelin e luajtur të mërkurën mbrëma në stadiumin “Olimpico” në Romë, skuadra e Interit triumfoi me rezultatin 4:2 pas 120 minutash lojë. Koha e rregullt e këtij takimi u mbyll me shifrat 2:2, përpara se Interi të shënonte dy gola në vazhdimin e parë për ta konfirmuar fitoren ndaj Juventusin.

Për Interin, ky është trofeu i parë këtë edicion, kurse po lufton për ta mbrojtur edhe titullin e kampionit në Serie A. Është në vendin e dytë në tabelë, me dy pikë më pak se Milani që është lider kur kanë mbetur edhe dy xhiro deri në fund të këtij edicioni.

Skuadra e Juventusit, do ta mbyllë për herë të parë një sezon pa trofe në 11 vjetët e fundit. Interi e fitoi për herën e tetë në histori të klubit këtë trofe, ndërsa për herë të parë që nga viti 2011.

Golin e epërsisë ndaj Juventusit e shënoi Nicolo Barella. Ishte një gol i bukur i shënuar nga italiani në minutën e 7-të. Golin e barazimit e shënoi Alex Sandro në minutën e 50-të. Dy minuta pasi Juventusi barazoi rezultatin, Dushan Vllahoviq shënoi në minutën e 52-të golin e epërsisë 2:1 për skuadrën torineze.

Golin e barazimit (2:2) për Interin e shënoi Hakan Calhanoglu. Ai realizoi nga penalltia në minutën e 80-të për t’ia siguruar barazimin dhe shtesat Interit.

Ivan Perishiq shënoi golin e epërsisë 3:2 për Interin në finale të Kupës së Italisë ndaj Juventusit. Ai shënoi në minutën e 98-të. Penalltia u konfirmua me asistencë të sistemit VAR. Perishiq shënoi edhe golin e katërt në minutën e 102-të.

  • 1

    Radio