Aktuale Më shumë

Dorëzohet iniciativa për votëbesimin e Qeverisë. Përkrahje edhe nga PDS(DPS)

Prej tvteuta15:12, 19 Janar 2022

Koalicioni “E zeza në të bardhë” ka dorëzuar sot iniciativën për votëbesimin e Qeverisë së Malit të Zi, dy ditë pasi njoftoi iniciativën për formimin e një qeverie të pakicës, e cila sipas gjasave, do të duhej të drejtohej nga LQ URA dhe subjektet e pakicave. Edhe pse oferta për përkrahjen tha se do të adresohet tek të gjitha subjektet politike parlamentare, nënshkrimin e kanë përkrahur vetëm disa nga deputetët e PDS, ata të PSD , SD dhe subjekteve të pakicave.

Lidhur me përkrahjen e formimit të qeverisë së pakicës, është e qartë se përkrahja do të vijë kryesisht nga PDS, ndërsa FD me siguri do të kalkulojë deri në momentet e fundit.  Demokratët dhe Mali i Zi i Vërtetë janë deklaruar kundër, ndërsa kryetari i Malit të Zi të Bashkuar Goran Danilloviq, tha se kjo iniciativë në këtë mënyrë nuk është as në përputhje me Kushtetutën, ndërsa në Demos thonë se zgjidhja për daljen nga kriza duhet të kërkohet në mes përbërësve të mazhorancës aktuale. Ende pritet qëndrimi definintiv i PSP, njërës nga nënshkrueset e Memorandumit me LQ URA dhe partitë e pakicave. Kryetari i i saj, Vlladimir Jokoviq, tha se vendimi do të merret në organet e partisë, duke hedhur poshtë deklaratat e kryeministrit Zdravko Krivokapiq se disa nga deputetët e kësaj partie nuk do ta përkrahin qeverinë e pakicës.

Me interes është përcjellur edhe reagimi i zyrtarëve ndërkombëtar lidhur me ngjarjet e ditëve të fundit. Eurodeputetja Viola Von Cramon ka vlerësuar se qeveria e pakicës është ide e mirë në mënyrë që të tejkalohet stagnimi politik dhe të nisen reformat që do të shpejtonin integrimin në BE. Raportuesi për Malin e Zi në parlamentin e BE-së, Tonino Piculla, tha se secili sugjerim për tejkalimin e situatës aktuale është i mirëseardhur, e nëse as kjo nuk zgjith situatën, atëherë mund të shkohet në zgjedhje të reja. Përfaqësuesi special i BE për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, thjeksoi se nuk i takon BE të diktojë se kush duhet të jetë në Qeveri, por se ajo duhet të ketë program proevropian, dhe se me interes por përcjellin zhvillimin e ngjarjeve në Mal të Zi.

Edhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Jakov Millatoviq, ka reaguar pas publikimit të iniciativës për votëbesimin e Qeverisë. Ai tha se ministrat e qeverisë janë të mendimit se është etike që zv.kryeministri Dritan Abazoviq të japë dorëheqje nga qeveria që tenton të rrëzojë.

  • 1

    Radio