Opinion Më shumë

Cobaj: Theksimi i dallimeve midis kulturave, injorim i debatit

Prej tvteuta23:28, 10 Prill 2022

vijon nga teksti i kaluar i autorit Bernard Cobaj
Saidi po ashtu përmend se në botën islame ka rishfaqje të retorikës që thekson dallimet e brendshme midis islamit dhe Perëndimit, ashtu siç në Afrikë, Evropë, Azi dhe vende të tjera paraqiten lëvizje që theksojnë nevojën për të përjashtuar apo asgjësuar tjetrin, sikur në Bosnje apo Kosovë. Aparteidi i të bardhëve në Afrikën Jugore, ideja cioniste që Palestina duhet të jetë vetëm për hebrenjtë, ishin lëvizje të tilla.
Kolonizimi i Kosovës po ashtu justifikohej me idenë e kombit të zgjedhur si rezultat i mitologjisë së ndërtuar nga serbët në kuadër të betejës së Kosovës.
Brenda çdo kampi qytetërues ka përfaqësues zyrtarë të një kulture që e bëjnë veten zëdhënës të saj, të cilët i caktojnë vetes rolin e artikulimit të “tonë”, ose për të treguar esencen e “tyre”. Kjo kërkon gjithmonë ngjeshje, reduktim, ekzagjerim. Pra, në rrafshin e parë deklaratat rreth çfarë është kultura “jonë”, çka është qytetërimi, ose si duhet të jetë, përfshijnë domosdoshmërisht një garë lidhur me përkufizimin. Si rrjedhojë, më tepër se përplasje të qytetërimeve kemi përplasjen e përkufizimeve.
Kulturat nuk janë të njëjta. Ka një kulturë zyrtare që përfaqëson shteti. Ajo ofron përkufizime të patriotizmit, besnikërisë, kufijve dhe përkatësisë. Është kjo kulturë zyrtare që flet në emër të së tërës. Por është gjithashtu e vërtetë që përveç kulturës kryesore (mejnstrim) apo zyrtare, ka kultura kundërshtuese ose alternative, jotradicionale, heterodokse, rryma që përmbajnë në vete shumë tema antiautoritare, që janë në konkurrencë me kulturën zyrtare. Këto mund të quhen kundër-kultura, një ansambël praktikash që lidhen me zëra margjinalë siç janë të varfrit, emigrantët, artistët bohemë, punëtorët etj. Nga kundër-kultura vjen kritika ndaj autoritetit dhe sulmon atë që është zyrtare dhe ortodokse. Asnjë kulturë nuk është e kuptueshme pa pasur parasysh burimin gjithnjë të pranishëm të provokimit kreativ që jozyrtarja bën te zyrtarja. Për të mospërfillur ndjesinë e shqetësimit brenda çdo kulture në Perëndim, në islam, në konfucianizëm dhe të supozojmë se ekziston homogjenitet i plotë midis kulturës dhe identitetit, është të shmanget ajo që është jetike dhe pjellore në kulturë.
Artur Shlezinger në librin me titull “Shpërbërja e Amerikës” (Disuniting of America), thotë se grupet e reja në shoqërinë amerikane duan që në historinë e shkruar të pasqyrohet jo vetëm një Amerikë që u konceptua dhe u sundua nga patricët dhe pronarët e tokave, por një Amerikë në të cilën skllevërit, shërbëtorët, punëtorët dhe emigrantët e varfër luajtën një rol të rëndësishëm, por ende të papranuar. Rrëfimet e njerëzve të tillë, të heshtura nga ligjërimet e mëdha, kanë arritur të prishin përparimin e ngadaltë dhe qetësinë e patrazuar të historisë zyrtare.
Ka një debat të ngjashëm brenda botës islame, që shpesh lihet pas dore për shkak të histerisë kundrejt kërcënimit që shkakton islami, fundamentalizmi islamik dhe terrorizmi kaq i pranishëm në media. Si çdo kulturë kryesore botërore, islami përmban brenda vetes një shumëllojshmëri të jashtëzakonshme rrymash dhe kundër-rrymash. Saidi konstaton se botën e pasluftës, qoftë në Lindje apo Perëndim, e karakterizon qëndrimi jashtëzakonisht i përhapur i shprehjes së dyshimit dhe skepticizmit ndaj autoritetit shekullor. Kjo është ajo që Hantingtoni nuk mund ta përballojë dhe kapërdijë, prandaj sajon përplasje kulturash apo qytetërimesh.
Për teoricienë të këtij lloji, identiteti i qytetërimit është një gjë e qëndrueshme dhe e patrazuar, si një dhomë plot mobilje në pjesën e pasme të shtëpisë suaj. Kjo është jashtëzakonisht larg nga e vërteta, jo vetëm brenda botës islame por në të gjithë sipërfaqen e globit. Theksimi i dallimeve midis kulturave do të thotë të injorosh plotësisht debatin e pafund rreth përkufizimit të kulturës ose qytetërimit brenda atyre qytetërimeve, përfshirë edhe atë perëndimor. Këto debate plotësisht zhveshin çdo ide të një identiteti fiks dhe rrjedhimisht marrëdhënieve fikse ndërmjet identiteteve, gjë që Hantingtoni konsideron të jetë një lloj fakti ontologjik/qenësor i ekzistencës politike, domethënë përplasjes së qytetërimeve.
Vëmendja e tepërt që i kushtohet menaxhimit dhe sqarimit të përplasjes së kulturave fsheh diçka tjetër – faktin e një shkëmbimi dhe dialogu të madh dhe shpesh të heshtur mes tyre. Cila kulturë sot, qoftë japoneze, arabe, evropiane, koreane, kineze, indiane, nuk ka pasur kontakte të gjata intime dhe jashtëzakonisht të pasura me kulturat e tjera? Nuk ka asnjë përjashtim nga ky shkëmbim fare. Pothuajse e njëjta gjë është e vërtetë për letërsinë ku lexuesit për shembull të Garsia Markezit, Rumit, Ishiguros, Xhojsit, Kadaresë ekzistojnë shumë përtej kufijve kombëtarë ose kulturorë të imponuar nga gjuha dhe kombi.
Në fushën e letërsisë krahasuese ka një përkushtim për marrëdhëniet midis letërsive për pajtimin dhe harmoninë e tyre, pavarësisht nga ekzistenca e barrierave të fuqishme ideologjike dhe kombëtare midis tyre. Madje, kjo lloj sipërmarrjeje kolektive bashkëpunuese është ajo që i ik propaganduesve të një përplasjeje të përjetshme mes kulturave – përkushtimi i përjetshëm që ka ekzistuar në të gjitha shoqëritë moderne dhe të lashta mes studiuesve, artistëve, muzikantëve, vizionarëve dhe profetëve, për t’u përpjekur të pajtohen me tjetrin, me atë shoqëri apo kulturë tjetër që duket kaq e huaj dhe kaq e largët.
Nëse nuk theksojmë dhe shfrytëzojmë maksimalisht një frymë bashkëpunimi dhe shkëmbimi humanist, një angazhim dhe punë të thellë ekzistenciale në emër të tjetrit, do të përfundojmë duke goditur në mënyrë të ashpër e sipërfaqësore daullen e kulturës sonë në kundërshtim me të gjithë të tjerët.
(vazhdon)

  • 1

    Radio