Rajoni/Bota Më shumë

Blinken dhe Austin në Ukrainë, premtojnë ndihmë të re ushtarake

Prej tvteuta08:40, 25 Prill 2022

 

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, qëndruan të dielën vonë në Kiev, ku takuan presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Sipas raportimeve në media, zyrtarët amerikanë përsëritën mbështetjen për Ukrainën, në luftën e saj kundër forcave pushtuese ruse, dhe premtuan ndihmë të re, në vlerë prej më shumë se 700 milionë dollarësh.

Rreth gjysma e parave do të shkojnë në Ukrainë, ndërsa pjesa tjetër do të ndahet midis anëtarëve të NATO-s dhe aleatëve të tjerë rajonalë.

Përveç kësaj, SHBA-ja do t’i shesë Kievit municion në vlerë prej 165 milionë dollarësh.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka ndarë tashmë disa miliarda dollarë ndihmë ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën, duke përfshirë edhe 800 milionë dollarë të tjerë më 21 prill.

Zyrtarët amerikanë përsëritën se ndihma nuk nënkupton përfshirje të drejtpërdrejtë të SHBA-së në Ukrainë.

“Presidenti ka qenë shumë i qartë: nuk do të ketë trupa amerikane që luftojnë në Ukrainë”, tha një zyrtar i mbrojtjes për mediat amerikane.

Vizita e Blinkenit dhe Austinit në Kiev është vizita e nivelit më të lartë amerikan, qëkur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, më 24 shkurt.

Dy zyrtarët amerikanë takuan edhe ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Dmytro Kuleba, ministrin e Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov, dhe ministrin e Brendshëm, Denys Monastyrsky.

  • 1

    Radio