Aktuale Më shumë

Situatë alarmante në qendrën “Sirena”. Pa rroga dy muaj, për naftë varen nga donatorët

Prej tvteuta19:29, 26 Nëntor 2021

Institucioni më i ndjeshëm, dhe ndoshta edhe më i rëndësishëm në komunën e Ulqinit, Qendra Ditore “Sirena”, tashmë ka ardhur në një gjendje alarmante financiare. Drejtori Bila Alaj për TV Teuta thotë se situatën po e përballojnë vetëm me ndihmën e donatorëve.

Zyrtarët e Komunës së Ulqinit, lavdërohen se pagat a të punësuarëve në Komunë janë të rregullta, dhe se situata financiare e Komunës është e mirë, e në anën tjetër, çdo gjë mungon për fëmijët e “Sirenës”. Alaj është tejet i indinjuar me këtë lloj mospërfillje nga themeluesi, duke e ditur se sa e ndjeshme është puna me këtë kategori të fëmijëve. Zanafilla e problemit, sipas tij, daton qysh me miratimin e buxhetit, në të cilin për këtë institucion u parashikua një shumë e pamjaftueshme e mjeteve financiare, e më vonë u shtuan edhe probleme të tjera.

Të punësuarit në Komunë, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve kohën më të madhe e kalojnë në kafenetë e qytetit, pagat i marrin me rregull, ndërsa ato në “Sirenë”, që kanë punën më delikate në qytet, janë 2 muaj pa rroga. Për shpenzimet e tjera, varen pothuajse komplet nga donacionet e njerëzve të mirë.

Alaj thotë se në Komunë janë të njoftuar me problemet që përballen, por kjo nuk ka rezultuar edhe me ndihmë konkrete, çka le të kuptohet se prioritetet e tyre qëndrojnë diku tjetër.

Sikur problemet e lartërmendura të mos mjaftonin, anëtarët e bordit drejtues të kësaj qendre ditore, e të cilat janë plot pesë, sikur të bëhej fjalë për ndonjë kompani fitimprurëse,  e kanë hedhur në gjygj atë për kompensimet e prapambetura, pasi nuk i kanë marrë që një vit e gjysëm.

Që një ndërmarrje e tillë me 13 të punësuar, e plot 48 fëmijë për ty kujdesur, të ketë bord drejtues me 5 anëtarë, simbolizon më së miri karakterin pervers të pushtetit lokal të Ulqinit. Pushtet i cili edhe drejtorin e detyron të bëhet lypsar për të mbushur rezervoarin me naftë për të çuar fëmijët në shtëpiat e tyre. Dhe të njëjtit persona, përsëri do të dalin në zgjedhje dhe do të kërkojnë vota, duke u lavdëruar se japin në kohë rrogat e të punësuarve në Komunë, të cilët në pjesën më të madhe, nuk janë gjë tjetër përveçse militantë partiak. Më mirë të thonë haptas se rrogat i japin për vete, e të punësuarit vetëm përfitojnë, se po të ishte ndryshe, edhe ata do të kishin fatin e të punësuarve në “Sirenë”.

  • 1

    Radio