Aktuale Më shumë

Mali i Zi dhe Cetina të mbuluara me të zezë, tre ditë zie në të gjithë vendin

Prej tvteuta09:46, 13 Gusht 2022

Në Mal të Zi tre ditë zie. Një vendim të tillë Qeveria e ka marrë mbrëmë në një seancë telefonike me rastin e tragjedisë në Cetinë ku humbën jetën 11 persona.

Në përputhje me Vendimin e Qeverisë, ditët e zisë janë të shtunën, të dielën dhe të hënën, përkatësisht 13, 14 dhe 15 gusht.

Drejtori i Drejtorisë së Policisë, Zoran Brgjanin, ka bërë të ditur se në tragjedinë në Cetinë janë vrarë 11 persona, mes të cilëve dy fëmijë. Vuk Borilloviq (34) vrau dhjetë persona, në mesin e tyre dy fëmijë të moshës tetë dhe njëmbëdhjetë.

“Sot është një ditë tragjike jo vetëm për Cetinën, por për gjithë Malin e Zi. Jetët njerëzore janë më të vlefshmet dhe më të pazëvendësueshmet dhe sot humbëm 11 burra dhe gra, mes tyre edhe dy fëmijë”, tha Brgjanin në një video fjalim për publikun.

“Po ashtu, shpresoj që të lënduarit të shërohen shpejt dhe me sukses. Sipas rrethanave të njohura, ditën e premte rreth orës 15:30, tridhjetë e katër vjeçari V.B., nga Cetina, ka qëlluar me armë në drejtim të një familjeje, anëtarët e së cilës kanë qenë duke banuar në banesat e shtëpisë së tij si qiramarrës në lagjen Medovina. Me atë rast ka vrarë me pushkë gjuetie dy fëmijë, njëri tetë vjeç dhe tjetri njëmbëdhjetë vjeç dhe ka plagosur nënën e tyre, e cila iu nënshtrua plagëve të marra në një objekt mjekësor”, tha Bërgjanin.

Më pas, shtoi ai, ka dalë dhe me të njëjtën armë zjarri ka shtënë në drejtim të banorëve të këtij vendbanimi, duke vrarë shtatë persona të tjerë dhe duke plagosur gjashtë.

“Me thirrjen e qytetarëve në vendngjarje janë dërguar efektivë të policisë dhe nga shkëmbimi i zjarrit është plagosur rëndë një polic.

Për momentin, nuk është e qartë se çfarë e shtyu V.B. ndaj një akti kaq të shëmtuar”, ka deklaruar Brgjanin dhe ka treguar se është vrarë edhe V.B.

Ai thekson se rrethanat e gjithë ngjarjes, përfshirë edhe vrasjen e V.B. ende janë duke u përcaktuar, ndërsa për të gjitha detajet opinioni do të njoftohet përmes mediave.

“Dëshiroj gjithashtu të shpreh shpresën se kurrë më nuk do të jemi dëshmitarë të një tragjedie të tillë në Mal të Zi. Besoj se të gjithë e respektojmë dhimbjen e familjeve dhe falënderoj mediat për qëndrimin korrekt në raportimin e deritanishëm dhe apeloj që të vazhdojmë të raportojmë me kujdes maksimal”, përfundoi ai.

  • 1

    Radio