Aktuale Më shumë

“Akuzat e mëdha nuk duhet të mbeten të pashpjeguara”

Prej tvteuta10:45, 17 Mars 2024

Akuzat e rënda të ndërsjella që dëgjuam në Komisionin Parlamentar për Siguri dhe Mbrojtje dhe akuzat gjatë dhe pas seancës së Qeverisë ku u zgjodh ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë, hapën pyetje të shumta për të cilat duhet të marrim një përgjigje adekuate, tha kryetari i Shteti, Jakov Millatoviq.

Millatoviq tha se akuzat e tilla të mëdha, të cilat kërcënojnë besimin e qytetarëve në disa prej institucioneve më të rëndësishme në vend, nuk duhet të mbeten të pashpjeguara. Në të kundërtën, thekson ai, do të legalizojmë diletantizmin dhe mendjelehtësinë si karakteristika dominuese të veprimit politik.

“Si president i shtetit por edhe si qytetar pres përgjigje të shpejta dhe të qarta nga organet kompetente për të gjitha çështjet ligjore dhe të tjera që janë hapur në periudhën e kaluar dhe kanë të bëjnë me ngjarjet në sektorin e sigurisë. Nuk besoj se çdo qytetar dëshiron të jetojë në një shtet, zyrtarët e lartë të të cilit akuzojnë njëri-tjetrin për krimet më të rënda dhe kjo pranohet si pjesë e politikës ditore”, theksoi ai.

Ai thotë se nuk dëshiron të gjykojë “për veprimin mjaft kaotik por edhe jotransparent të institucioneve të caktuara”, por dëshiron, thotë ai, të apelojë për respektimin e Kushtetutës dhe ligjit.

“Kujtoj se maturimi demokratik i shoqërisë sonë në periudhën e kaluar është vënë vazhdimisht në pikëpyetje nga vlerësimet dhe veprimet e gabuara të disa prej aktorëve më të rëndësishëm politikë, prandaj duhet përgjegjësi dhe seriozitet shtesë në skenën politike, por edhe ndërgjegjësimi për një moment që është i rëndësishëm në shumë mënyra për zhvillimin e mëtejshëm demokratik dhe integrimin e Malit të Zi në BE”, ka përfunduar Millatoviq në rrjetin social X.

  • 1

    Radio