Aksion ndërkombëtar antidrogë në mes Shqipërisë, Italisë dhe Malit të Zi
Prej tvteuta09:59, 5 Gusht 2017
Një tjetër operacion ndërkombëtar antidrogë është finalizuar pasditen e së premtes, ku morën pjesë policitë e Shqipërisë, Italisë dhe Malit të Zi. Në kuadër të aksionit është sekuestruar një gomone që udhëtonte në ujërat ndërkombëtare, ndërsa janë arrestuar dy skafistë që ndodheshin në bord.
Në një njoftim për shtyp të Policisë së Shtetit bëhet e ditur se, agjencive policore u është dashur të ndjekin gomonen për 5 orë, për shkak të fuqisë së lartë që ajo kishte, e pajisur me 3 motorë. Aksioni ka nisur pas informacioneve të ardhura në kohë reale, me njësitë policore italiane, shqiptare dhe ato malazeze që kanë krijuar një rrjetë të pakalueshme për trafikantët, që ishin nisur nga zona kufitare mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, transmeton top channel. Sipas njoftimit, trafikantët po përpiqen të testojnë rrugë alternative për trafikimin e drogës për shkak të vështirësive që po hasin në ujërat shqiptare, ku po veprojnë me intensitet policia kufitare dhe Guardia di Finanza.