Ndalimi i gjuetisë nuk është zgjidhje për Kripore
Prej tvteuta10:51, 19 Dhjetor 2015
Kriporja e Ulqinit kohët e fundit ndodhet në fokusin jo vetëm të organizatave joqeveritare vendase dhe atyre të huaja, të cilat me veprimtarinë e vet kanë kohë që tregojnë për devastimin e Kripores, por edhe në fokus të institucioneve lokale dhe shtetërore, si dhe atyre ndërkombëtare.
Në prill të këtij viti Komuna e Ulqinit dhe delegacioni europian në një konferencë ndërkombëtare të mbajtur në Podgoricë dhe Ulqin ranë dakord që Kriporja duhet të shpallet monument i natyrës dhe të ndalohet gjuetia në mënyre absolute.
Kjo ka ngjallur reagimin e gjuetarëve të Ulqinit të mbledhur në shoqatën joqeveritare “Shepka”, të cilët janë kundër ndalimit total të gjuetisë. Kryetari i kësaj shoqate Mehmet Zenka tha për Televizionin Teuta se gjuetarët nuk janë kundër mbrojtjes së Kripores por se ndalimi i gjuetisë nuk është zgjidhje e problemit, dhe fajësoi në mënyrë direkte drejtorin e Qendrës për monitorim të zogjve Darko Saveliq për dezinformim të opinionit, injorancë profesionale në fushën e orintologjisë dhe veprimtari vetëm për qëllime përfitimi.
Edhe nënkryetari i kësaj shoqate Anto Ivanoviq, shprehu gatishmërinë e gjuetarëve të Ulqinit që jo vetëm të mbrojnë Kriporen nga devastimi por edhe të ndihmojnë në revitalizimin e saj.