Aktuale Më shumë

Komisioni komunal i regjistrimit po përgatitë gjithçka që regjistrimi të bëhet në mënyrë të ligjshme

Prej tvteuta13:32, 17 Nëntor 2023

Qeveria e re e kryesuar nga kryeministri Millojko Spajiq të martën ua ka dorëzuar partive opozitare propozimin për marrëveshje për regjistrimin e popullsisë, për të cilën është rënë dakord në masën më të madhe, në përputhje me kërkesat e mëparshme të opozitës. Propozimi për një marrëveshje parashikon kontrollin e procesit të regjistrimit nga fillimi deri në fund, numër të barabartë regjistruesish, një grup pune për softuer të kryesuar nga një anëtar i opozitës dhe ndalimin e fushatës së regjistrimit. Është planifikuar zgjerimi i komisioneve të regjistrimit me dy anëtarë të rinj të opozitës dhe një anëtar të këshillit të popujve më pak të shumtë në qytetet ku ata përfaqësohen. Të gjitha këto dhe pikat e tjera që theksohen në marrëveshje e ngadalësojnë përgatitjen për mbajtjen e regjistrimit, i cili më parë ishte shtyrë për më 30 nëntor.

Komisioni i regjistrimit në Ulqin, sipas njërit prej shtatë anëtarëve të komisionit komunal, Naser Resulbegoviq, ishte gati deri në ndryshimin e fundit të qeverisë, kandidatët kishin kaluar trajnimin e nevojshëm, por rekomandimet e reja do të kërkojnë kohë shtesë për përgatitjen e komisionit për regjistrimin e popullsisë.

Komisioni është mbledhur disa herë deri më tani dhe është angazhuar që regjistrimi të bëhet në mënyrën më ligjore. Më duhet të lavdëroj punën e MONSTAT-it dhe Drejtorisë së Statistikave, të cilat ndihmuan komisionin e regjistrimit për të kryer procedurën në mënyrë të ligjshme. Për datën e parë të regjistrimit, që ishte caktuar për 1 nëntor, komisioni i regjistrimit kishte 11 instruktorë të cilët ishin të trajnuar, ndërsa sa i përket regjistruesve, numri u plotësua dhe rreth 68 regjistrues e përfunduan me sukses trajnimin”, tha Resulbegoviq.

Komisioni i Regjistrimit ka shpallur shpalljen e re publike për instruktorët dhe regjistruesit duke filluar nga data 15 nëntor. Shpallja publike për instruktorët zgjat deri më 20 nëntor në orën 15:00, ndërsa për regjistruesit deri më 22 nëntor. Resulbegoviq ftoi regjistruesit dhe instruktorët që të riregjistrohen në Byronë qytetare të Komunës së Ulqinit.

“Pasi të përfundojë përsëritja e shpalljes, do të organizohen trajnime për të gjithë. Instruktorët dhe regjistruesit të cilët tashmë kanë kaluar trajnime nuk kanë nevojë të dorëzojnë dokumentacionin, i cili tashmë është në posedim të komisionit të regjistrimit, por të plotësojnë formularin e aplikimit, i cili gjendet në zyrën për qytetarë të Komunës së Ulqinit. Të gjithë ata që kanë kaluar trajnime do të paguhen, edhe instruktorët edhe regjistruesit”, tha Resulbegoviq.

As qytetarët dhe as publiku nuk e kanë më përgjigjen të qartë në pyetjen nëse regjistrimi do të mbahet patjetër nga 30 nëntori. E ndërsa administrata shtetërore dhe komunale po përgatiten për atë proces, ka pak kohë që gjithçka të jetë gati për ditën e fundit të nëntorit.

“Ajo që është më e rëndësishmja, për mendimin tim, është fakti se regjistrimi është paraqitja më e rëndësishme statistikore e një sërë të dhënave bazë, vetë data edhe pse është e rregulluar me Rregulloren për kryerjen e regjistrimit nuk është aq e rëndësishme. Nuk jam optimist për disa gjëra teknike, duhet softuer i ri për të kontrolluar regjistrimin, mirëpo ky komision do të punojë dhe do ta zbatojë shpalljen, trajnimin për të gjithë regjistruesit dhe instruktorët sikur do të bëhet në periudhën e caktuar”, ka përfunduar Resulbegoviq.

  • 1

    Radio