Aktuale Më shumë

Diskutim tematik: Reforma e administratës publike

Prej tvteuta19:14, 12 Maj 2023

Në Ulqin u mbajt një tryezë e rrumbullakët lidhur me reformën e administratës publike dhe funksionimin e saj për të plotësuar nevojat e qytetarëve. Tryeza u organizua nga OJQ Horizonti i Ri, ndërsa të pranishëm ishin përfaqësues të komunave të Tuzit dhe Ulqinit, ministri i administratës publike Marash Dukaj, dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Nazif Veliq nga “Horizonti i Ri” tha se qëllimi i reformës së administratës publike duhet të jetë modernizimi i saj, në mënyrë që të jetë sa më efikase në shërbim të qytetarëve dhe biznesit.

Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj numëroi disa arritje substanciale të ministrisë që ai drejton në këtë periudhë të shkurtër 1 vjeçare. Ai theksoi arritjet në ngritjen në nivel të lartë të sigurisë kibernetike, pas sulmeve që ndodhen  verën e kaluar, si dhe realizimin e shumë qëllimeve në procesin e dixhitalizimit.

Marina Ujkaj, sekretarja e Sekretariatit për Vetëqeverisje lokale në Komunën e Tuzit foli për sfidat që si komunë e re përballen në procesin e reformës së administratës publike, por edhe arritjet që kanë pasur në këtë periudhë, ndërsa kryeadministratori i Komunës së Ulqinit, Naser Resulbegoviq, theksoi rëndësinë që ka administrata lokale në procesin e integrimit drejt Bashkimit Evropian.

Funksionimi i administratës publike, sidomos asaj lokale, shpeshherë ka qenë në shënjestër të kritikave, qoftë për mungesë efikasiteti, qoftë për mungesë transarence. Nga Horizonit i Ri thonë se në këtë drejtim ka pasur disa përmirsime, por mbetet ende shumë punë për tu bërë.

Tryeza në fjalë është pjesë e projektit “Reforma që kuptojnë të gjithë” , realizuar nga Horizonti i Ri, me përkrahjen e Ministrisë së Administratës Publike.

  • 1

    Radio