EEMZ i ka dyert e hapura për marrjen e Hekuranës
Prej tvteuta17:17, 15 Gusht 2022
EEMZ e ka dritën jeshile për të filluar bisedimet me kompaninë turke për marrjen e Hekuranës së Nikshiqit”, tha kryeministri Dritan Abazoviq pas takimit me krerët e kompanive. Abazoviq pas takimit tha se prioritet i tij është mbrojtja e punëtorëve dhe se është më pak e rëndësishme nëse fabrika do të merret nga Miodrag Davidoviq apo EEMZ.
“Është prezantuar një plan biznesi i cili, për mendimin tim, është real. Qëllimi është të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme. Unë shoh vullnetin e mirë të EEMZ dhe Komunës së Nikshiqit për të ndihmuar”, tha Abazoviq. Ai shtoi se nuk ka informacion nëse negociatat e Davidoviq me Tosçelikun kanë dështuar, dhe se ato duhet të vazhdojnë më 22 gusht. Punëtorët, siç tha përfaqësuesi i tyre Ivan Vujoviq, nuk kanë marrë ftesë për mbledhje, por rezultatin e kanë pritur para ndërtesës së Qeverisë. Me këtë rast, ekipi negociator i punonjësve të Hekuranës i shkroi letër kryeministrit Abazoviq, ku i tregonte përfitimet që sipas tyre do të kishte EEMZ nëse do të blinte asetet e Hekuranës.
Ata thonë se gjatë marrjes së një vendimi duhet pasur parasysh se në vitin 2018 dhe 2019, ideja e njërit prej punonjësve ishte të ndërtonte një termocentral diellor në afërsi të fabrikës dhe në këtë mënyrë të siguronte burimin e vet të energjisë. Për këtë, thonë ata, është zhvilluar projekti dhe ideja ka rezultuar e justifikuar.