Aktuale Më shumë

Veljoviq i caktohet masa e paraburgimit prej 72 orësh

Prej tvteuta17:50, 24 Korrik 2023

Ish drejtori i Drejtorisë së Policisë, Veselin Veljoviq u arrestua mëngjesin e sotëm, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Shtetit. Përveç Veljoviq, është arrestuar edhe Mujo Nikoçeviq dhe Nikolla Mrkiq, ndërsa policia është në kërkim të vëllait të tij Aleksandar Mrkiq. Ata prej vitesh janë të lidhur me kontrabandën e cigareve, por i kanë mohuar akuzat.

Paraprakisht, policia ka kontrolluar banesat dhe hapsirat e tjera të të dyshuarve, ndërsa provat kundër tyre janë mbledhur në bashkëpunim me EUROPOL-in. Supozohet se arrestimi i Veljoviq ka të bëjë me kontrabandën e cigareve, por avokati i tij nuk ka pranuar të komentojë dyshimet. Pas arrestimit, Veljoviq u mor në pyetje në hapsirat e Prokurorisë Speciale të Shtetit. “Të dyshuarit i është caktuar masa e paraburgimit prej 72 orësh për shkak të pranisë së rrethanave që tregojnë rrezik për arratisje dhe mundësi të pengimit të procedurës duke ndikuar te bashkëpunëtorët dhe dëshmitarët”, tha për Portalin RT të MZ, prokurori i shtetit dhe zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Vukas Radonjiq.

Veselin Veljoviq ka qenë në krye të Drejtorisë së Policisë në dy raste – nga viti 2007 deri në vitin 2011, dhe më pas nga korriku i 2018-ës deri në dhjetor 2020. Arrestimin e tij e komentoi edhe kryeministri në detyrë dr. Dritan Abazoviq, i cili tha se dora e drejtësisë më në fund ka arritur edhe deri tek Veljoviq, ndërsa zyrtari i lëvizjes “Evropa Tani”, Andrej Milloviq, arrestimin e tij e konsideroi se dëshmi që Prokuroria Speciale e Shtetit po kryen punën e vet. Aksioni u përshëndet edhe nga parti të tjera të ish opozitës, ndërsa nga opozita e tanishme PDS e kritikoi aksionin, duke akuzuar se ai ka ardhur vetëm si rezultat i presioneve të kryeministrit Abazoviq mbi Prokurorinë Speciale. Veljoviq, përveç që ishte zyrtarë i lartë policor për një dekadë e gjysëm, ishte edhe bashkëpunëtor i afërt i ish liderit të PDS Millo Gjukanoviq.

  • 1

    Radio