Ura mbi Bunë: Ide e vjetër, shpresë e re

Prej tvteuta17:34, 4 Mars 2023

Ditët e fundit ndërtimi i urës mbi lumin Buna, është tema kryesore në Ulqin. Ky projekt madhor ka rritur shpresat e banorëve, pasi premton të ketë ndikim të konsiderueshëm në ekonominë e qytetit. Për këtë tashmë ka edhe marrëveshje të nënshkruar, mes kryeministrave të Malit të Zi dhe Shqipërisë Dritan Abazoviq dhe Edi Rama. Edhe pse ky projekt duket se tani është vendosur në binarët e duhur, idea për të nuk është e re.

Komuna e Ulqinit dhe Bashkia e Shkodrës, që në vitin 2015 patën takime për mundësinë e lidhjes mes dy vendeve përmes kalimit kufitar Shën Kollë – Pulaj, me pjesmarrjen edhe institucioneve më të larta të dy vendeve. Ky projekt ishte në tavolinë për disa kohë, por për arsye të të mos interesimit serioz nga qarqet politike, nuk u shty më tej.

Ardian Mavriq, atëherë në rolin e nënkryetarit të Komunës, ishte direkt i kyçur në këto bisedime. Edhe pse ekzistonte optimizëm, rezultate nuk pati, dhe çdo gjë mbeti në fillim.

“Nuk është mirë kur duhet që politika të jetë vendimtare në raste të tilla. Fatkeqësisht në Ballkan nëse nuk ke kontakt direkt me kryetarë ose kryeministra, gjërat nuk realizohen.”, thotë Mavriq për TV Teuta. Ai beson se fakti që kryeministri aktual është nga Ulqini ka ndihmuar që të shtyhen disa projekte të rëndësishme për qytetin, siç është edhe ura në fjalë. Ai thotë se ndikimi i saj në zhvillimin ekonomik të qytetit do të jetë i madh.

Për të gjithë është e qartë se sikur Abazoviq të mos ishte kryeministër, i pari nga Ulqini, vështirë se ky projekt do të diskutohej tani, në rastin më optimist do të zvarritej edhe për shumë vite. Kjo qasje e Podgoricës, Ulqinit i ka kushtuar shumë.

Ndërtimi i urës pritet të hapë horizonte të reja për ekonominë e Ulqinit por edhe gjithë Malin e Zi. Përfitimet mund të jenë të shumta dhe jo vetëm në një sektor. Megjithatë, turizmi pritet të ketë benefitet kryesore.

Në Organizatën Turistike presin që lidhja më e mirë me Shqipërinë të krijojë mundësi të reja, si për Ulqinin, ashtu edhe për rrethinën. “Lidhja më e mirë me Shqipërinë, gjegjësisht Shkodrën, do të mundësojë edhe unifikimin e ofertës turistike. Në disa tregje ka mundësi që të dilet me ofertë të përbashkët.” thotë drejtori Qazim Hoxhiq. Ai shton se përveç kësaj, do të ketë edhe benefite të tjera; valorizimi i Bunës, Liqenit të Shasit dhe atij të Shkodrës, si dhe një valorizim më i mirë i gjithë zonës përreth.

Përveç turizimit, edhe tregtarët kanë hesapin e vet në këtë mes. Kjo sidomos kur pritet që të ketë një fluks më të madh të qarkullimit në mes dy vendeve.

Afaristi i njohur Lam Kallaba, i cili zotëron disa biznese në Ulqin, duke u nisur nga pika e karburantit e deri tek shitoret, pret që ndikimi i lidhjes së re me Shqipërinë të jetë tejet pozitiv. Ai nuk pret që as ato që gravitojnë në rrugën që çon në kalimin Sukubinë –Muriqan, të kenë pasoja afatgjata nga rënia e fluksit.

“Mendoj se ndikimi do të jetë i madh dhe shumë pozitiv. Të shpresojmë që kjo të realizohet dhe të mos mbesë ëndërr si shumë premtime të tjera.”-thotë Kallaba.

Tani mbetet vetëm realizimi. Gjatë vitit aktual pritet punimi i projektit, të cilin e ka marrë përsipër ana shqiptare, e pastaj të fillojë puna. Siç u tha në mbledhjen e përbashkët të qeverive, vlera pritet të jetë rreth 20 milionë euro, e neve na mbetet të shpresojmë që politika,  të mos bëhet përsëri shkak për ta lënë në harresë.

  • 1

    Radio