Rajoni/Bota Më shumë

U skadoi afati/ Kosova heq nga përdorimi mbi 133 mijë vaksina AstraZeneca

Prej tvteuta17:54, 2 Shtator 2021

Ministria e Shëndetësisë ka hequr nga administrimi 133 mijë e 234 vaksina AstraZeneca, të cilave u ka skaduar afati ditën e djeshme. Këtë e ka bërë të ditur vet ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili tha se të njëjtat kanë qenë donacion nga Norvegjia.

I pari i Shëndetësisë tha se ka pasur shumë dezinformata edhe nga deputetët e Kuvendit të Kosovës rreth afatit të këtyre vaksinave. Sipas tij, kjo ka ndikuar në uljen e interesimit të qytetarëve të Kosovës për të marrë këtë vaksinë.

Megjithatë, Vitia tha se Kosova ka doza të mjaftueshme, teksa informoi se vaksinimi nga java tjetër do të fillojë edhe në ditët e vikendit.

Ai bëri të ditur se në qendrat e vaksinimit aktualisht në nivel vendi janë 108 mijë e 856 doza Pfizer dhe 46 mijë e 947 doza AstraZeneca.

Ministri Vitia u shpreh se për të dhe qeverinë ka qenë e rëndësishme siguria dhe cilësia e vaksinave, e për këtë tha se nuk kanë pasur dhe as nuk do të kenë kompromis.

Ai u shpreh se të gjitha vaksinat që janë në stoqe të Ministrisë së Shëndetësisë janë të sigurta, teksa njoftoi se në fund të javës do të pranojnë 150 mijë vaksina nga Gjermania.

Kreu i Shëndetësisë njoftoi se nga java e ardhshme vaksinimi i qytetarëve do të bëhet edhe gjatë vikendeve.

“Gjatë muajit gusht janë administruar mbi 410 mijë vaksina dhe në shtator ky numër do të rritet akoma. Ekipet e vaksinimit do të intensifikojnë punën dhe do të vazhdojnë punën edhe gjatë vikendit filluar nga vikendi i ardhshëm, jo nga ky vikend po nga vikendi i ardhshëm”,deklaroi Vitia.

Vitia u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen, pa të cilën tha se do ta kenë vështirë të përballojnë valët e paralajmëruara të përhapjes së virusit

  • 1

    Radio