Rajoni/Bota Më shumë

Serbia i ndalon Sveçlës hyrjen në Preshevë: Nuk pengojnë dot mbështetjen tonë

Prej tvteuta13:59, 4 Janar 2024

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla konfirmoi se autoritetet serbe i kanë refuzuar kërkesën për vizitë në Preshevë, vetëm disa orë përpara se të ai të udhëtonte drejt luginës.

Refuzimi, siç tha Sveçla, është bërë pa asnjë arsyetim. “Ky akt i Serbisë ndaj vizitës sime dëshmon qasjen destruktive dhe shtypjen e vazhdueshme të saj ndaj shqiptarëve të Luginës”, deklaroi ministri që përmes një postimi në Facebook sqaroi megjithatë se për çështjen e vizitave të zyrtarëve shtetërorë do të veprojnë mbi parimet e reciprocitetit.

Sveçla sqaroi se kishte ndërmarrë të gjithë hapat e duhur për të kërkuar lejen për këtë vizitë. Përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës kishte përcjellë axhendën e tij në zyrën ndërlidhëse të Serbisë për leje të hyrjes dhe realizim të vizitës, “në respektim të marrëveshjes së Brukselit dhe praktikave të deritanishme”. Refuzimi i Serbisë, megjithatë siç tha zyrtari i lartë, nuk zbeh qëllimet dhe angazhimin e Prishtinës për shqiptarët e Luginës.

“Ai nuk do të zbehë as dëshirën dhe qëllimin tim për realizim të vizitës atje, për të ndarë me shqiptarët e Luginës shqetësimet e padrejtësitë me të cilat ata përballen dhe angazhimet e institucioneve të Republikës sonë për ta”, u shpreh Sveçla. Axhenda e tij përfshinte vizita në Preshevë, komunë e banuar me shumicë shqiptare, si dhe në Medvegjë e Bujanoc, ku ka gjithashtu popullsi shqiptare.

  • 1

    Radio