Sociale Më shumë

Projekt për të rinjtë nga Shkodra dhe Ulqini – Mundësi karriere në sektorin e turizmit

Prej tvteuta20:41, 9 Mars 2021

Shkolla e mesme “Vëllazërim Bashkim” nga Ulqini dhe “Hamdi Bushati” nga Shkodra po zbatojnë projektin “Rrugët e zhvillimit të karrierës”, i cili ka për qëllim të përgatisë të rinjtë nga Shqipëria dhe Mali i Zi për mundësi të karrierës në sektorin e turizmit. Bartës i këtij projekti është organizata World Vision Albania në partneritet me OJQ Horizonti i Ri nga Ulqini. Në shkollën “Vëllazërim Bashkim” thonë se sektori turistik është shumë i rëndësishëm për ekonominë e qytetit dhe një projekt si ky mund të ndihmojë mjaft të rinjtë që të marrin një edukim joformal në këtë sektor, thotë Myzafer Gjoni.

Bashkëpunimi me një shkollë tjetër dhe moshatarë me interesa të përbashkëta duket se edhe tek nxënësit pjesmarrës ka ngjallur një interesim të madh. Një prej tyre, Diandra Koçan, thotë për TV Teuta se me të marrë vesh për projektin nuk ka munguar kureshtja për të mësuar diçka më shumë rreth tij, sidomos pasi bëhet fjalë për një projekt në sferën e turizmit.

Lidhur me pritshmëritë që kanë nga ky projekt, Koçan në mënyrë figurative sqaron se bashkëpunimi dhe përvoja që do të marrin gjatë kohëzgjatjes së projektit do të jenë mjaft të çmueshme për të avancuar njohuritë e tyre në sektorin e turizmit.

Ky projekt përfshinë aktivitete të ndryshme, duke filluar nga puntoritë e përbashkëta për shkrimin e projekteve, mësimin e gjuhëve të huaja me theks në terminologjinë e turizmit, e deri tek organizimi i panaireve. Shkolla për këto ka përgatitur edhe ambiente të veçanta.

Ky projekt u prezantua me datë 3 mars në Bibliotekën e Ulqinit, kurse në ditët në vijim duhej të vazhdonte në ambientet e shkollës “Vëllazërim Bashkim” me takime të tjera. Por masat e reja kufizuese kundër përhpjes së pandemisë së Covid 19 detyruan anullimin e tyre dhe për të vazhduar duhet të pritet përmirsimi i gjendjes. Ajo që vlen të theksohet është se ky projekt mund të jetë një inicues i bashkpunimeve të mëtejshme në sektorin turistik në mes Shkodrës dhe Ulqinit, duke pasur parasysh atraktivitetin turistik të dy qyteve dhe nevojën gjthnjë e më të madhe të zgjerimit të ofertës turistike, në përputhje me kërkesat e tregut.

 

B.Çoba

  • 1

    Radio