Osmanoviq: Situata financiare stabile, problem investimet kapitale

Prej tvteuta17:39, 19 Nëntor 2021

Situata financiare e Komunës së Ulqinit është stabile, dhe viti 2021 mund të cilësohet si vit mjaft pozitiv sa u përket të hyrave që Komuna ka pasur, thotë për TV Teuta Sekretari për financa Sead Osmanoviq, duke potencuar këtu suksesin në vjeljen e tatimeve dhe kryerjen e rregullt të obligimeve ndaj furnizuesve.

Megjithëse Komuna si rrallëherë ka mjete të mjaftueshme në dispozicion, kjo nuk po vërehet në realizimin e investimeve kapitale. Osmanoviq thotë se ai nuk është adresa e duhur për këtë, pasi investimet janë kompetencë e organeve të tjera, por pranon se nuk është i kënaqur me ritmin e tyre.

Sa i përket draftit të buxhetit për vitin a ardhshëm, Osmanoviq thotë se ai është në përpilim e sipër, dhe së shpejti pritet dalja në shqyrtim publik.

Edhe pse viti aktual mund të cilësohet si vit pandemik, duket se kjo nuk ka ndikuar keq në gjendje financiare të Komunës. A është ky stabilitet rezultat i vetëm përformancës së mirë në vjeljen e tatimeve, apo edhe fakti që Komuna nuk ka mundur të punësojë si në periudhat e kaluara, e me këtë edhe më pak shpenzime, kjo mbetet objekt i një analize më të detajuar.

 

  • 1

    Radio