Rajoni/Bota Më shumë

Izraeli dhe Hamasi bien dakord për armëpushim dhe lirim pengjesh

Prej tvteuta10:07, 22 Nëntor 2023

Qeveria e Izraelit dhe grupi radikal palestinez Hamas — i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian — janë pajtuar të mërkurën për një ndërprerje katërditore të luftimeve, për të mundësuar lirimin e 50 pengjeve që po mbahen në Gazë, në shkëmbim të lirimit të 150 palestinezëve të burgosur në Izrael dhe hyrjes së ndihmave humanitare në territorin e rrethuar, raporton Reuters.

Zyrtarë nga Katari, që ka ndërmjetësuar negociata sekrete, si dhe nga SHBA-ja, Izraeli e Hamasi, prej ditësh kanë paralajmëruar për arritjen e një marrëveshjeje.

Hamasi besohet se po mban mbi 200 pengje, të cilët i ka marrë kur luftëtarët e tij ia mësynë Izraelit më 7 tetor, duke vrarë 1.200 persona, sipas autoriteteve izraelite.

 

Një komunikatë e lëshuar nga zyra e kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka bërë të ditur se 50 gra dhe fëmijë do të lirohen brenda një periudhe katërditore, gjatë së cilës do të ketë ndërprerje të luftimeve.

Për çdo 10 pengje shtesë të liruara, armëpushimi do të zgjatet për një ditë shtesë, ka njoftuar zyra e Netanyahut, pa përmendur lirimin e të burgosurve palestinezë në shkëmbim.

Izraeli është zotuar se nuk do të sulmojë apo nuk do të arrestojë askënd në të gjitha pjesët e Gazës gjatë periudhës së armëpushimit, ka njoftuar Hamasi.

 

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka thënë se e ka përshëndetur marrëveshjen e arritur. “Marrëveshja e sotme duhet të kthejë një shtëpi pengje shtesë amerikane, dhe unë nuk do të ndalem derisa të lirohen të gjithë”, ka deklaruar ai, përmes një komunikate.

  • 1

    Radio