Forca: Kontrolli disa herë në ditë në një objekt, nuk është parandalim

Prej tvteuta10:17, 20 Korrik 2022

 

KUMTESË PËR MEDIA

 

Kryerja e mbikëqyrjes në objekte edhe disa herë në ditë në të njëjtin objekt, me qëllim ndëshkimin e saj, nuk është në përputhje me parimin e parandalimit dhe proporcionalitetit.

Jemi dakord që qëllimi dhe detyra e mbikëqyrjes inspektuese është parandalimi dhe futja e subjekteve në flukset ligjore, megjithatë besojmë se Drejtoria për Çështjet e inspektimit nuk e kupton kuptimin e vërtetë të koncepteve të parandalimit dhe proporcionalitetit.

Përkatësisht, Drejtoria për Çështje të Inspektimit e di shumë mirë se për të eliminuar parregullsitë, inspektorët kanë në dispozicion masa të ndryshme, si: vënien në dukje të parregullsive të konstatuara dhe caktimin e afatit për eliminimin e tyre; urdhëron marrjen e masave dhe veprimeve të duhura brenda afatit që ai cakton.

Për hir të publikut, do të ishte e këshillueshme që Drejtoria për Çështjet e Inspektimit të jepte informacion se sa raste janë trajtuar në mënyrën e mësipërme, përpara se të vendosej gjoba, për arsye se besojmë se gjoba e vendosur ndaj subjektit mbikëqyrjes është masë që shqiptohet në mënyrë të jashtëzakonshme dhe vetëm në rastet kur qëllimi i mbikëqyrjes inspektuese nuk mund të arrihet në mënyrën e lartpërmendur, pra, siç thekson vetë Drejtoria për Çështje të Inspektimit në njoftimin e saj, ndalimi i të gjitha llojeve të biznesit të paligjshëm, qoftë shtypja e ekonomisë gri, puna pa autorizim, punëtorët e padeklaruar etj.

Besojmë se çdo afarist dhe sipërmarrës i ndershëm sigurisht që do të vepronte me ndërgjegje dhe do të eliminonte parregullsitë nëse do të vendoseshin masat që përmendëm më lart.

Në të njëjtën mënyrë, buxheti i shtetit nuk do të duhet të mbushet me gjoba, nga të cilat paguhen edhe inspektorët në mënyrë indirekte, por buxheti i shtetit mbushet me pagesën e tatimit dhe taksave.

Sa i përket Ulqinit,  e dimë se aktualisht në qytetin tonë gjinden  80 inspektorë, pra edhe më së shumë inspektorë në raport me numrin e banorëve, që është absurde, sepse mendojmë se Ulqini nuk është i vetmi qytet ku ka parregullsi. Ky numër i inspektorëve sigurisht që nuk është në Ulqin për hir të parandalimit, por përkundrazi, me synimin për të dënuar sa më shumë sipërmarrës të Ulqinit.

 

Do të ishte mirë që Drejtoria për Çështje të Inspektimit, kur tashmë jep të dhëna se sa gjoba janë inkasuar, gjegjësisht 93 mijë euro, do të jepte edhe të dhëna se sa janë shqiptuar gjoba, sepse besojmë se kjo e kalon shumën prej 300.000,00 euro që kemi deklaruar në kumtesën e mëparshme e të cilën informatë e kemi marrë nga qytetarët, që numri i gjobave të paguara nuk korrespondon me numrin e gjobave të shqiptuara.

Gjithashtu besojmë se, duke pasur parasysh kushtet ekonomike, sociale dhe mjekësore që kanë prekur vendin tonë, Drejtoria për Çështje të Inspektimit duhet të përpiqet të zbatojë  në të ardhmen sa më shumë parimin e proporcionalitetit, sepse ndëshkimi pa kriter dhe jo proporcional do t’i detyrojë afaristët/sipërmarrësit  t’i mbyllin objektet dhe t’i çojnë deri në falimentim, që sigurisht nuk do të kontribuojë në buxhetin e shtetit.

Në fund e informojmë opinionin e gjerë se nuk jemi për mosrespektimin e ligjeve dhe mos vendosjen e rregullit në sipërmarrje, por besojmë se qasja dhe mënyra e zgjidhjes së këtyre problemeve nga Drejtoria për Çështje të Inspektimit është e gabuar.

 

Forca e Re Demokratike

  • 1

    Radio