Aktuale Më shumë

Kanë kaluar 24 vjet nga sulmi i NATO-s në RFJ

Prej tvteuta08:01, 24 Mars 2023

Sot është njëzet e katër vjetori i sulmit të forcave të NATO-s në ish-RS Jugosllave, i cili zgjati 78 ditë dhe përfundoi me Marrëveshjen e Kumanovës. Sulmet ndaj shtetit të atëhershëm të përbashkët të Malit të Zi dhe Serbisë filluan në prag të 24 marsit 1999 dhe përfunduan në qershor.

Mali i Zi është anëtar i NATO-s që nga viti 2017 dhe është vendi i parë në botë që u bombardua nga aleanca dhe që më vonë u bë anëtare e plotë e saj.

Në Serbi, që nga viti 2015, 24 marsi është shënuar zyrtarisht si “fillimi i agresionit të NATO-s”.

Veprimi i NATO-s pasoi negociatat e pasuksesshme për zgjidhjen e krizës në Kosovë, të mbajtura në Rambuje dhe Paris në shkurt dhe mars 1999.

Vendet kryesore të NATO-s pretenduan se regjimi i presidentit të atëhershëm jugosllav Slobodan Millosheviç po kryente spastrim etnik në Kosovë, duke persekutuar kundërshtarët politikë dhe duke mbytur të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe se ai duhet të ndalet. Nga ana tjetër, Millosheviqi akuzoi aleancën për agresion dhe veprim pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Disa vite pas sulmit të NATO-s mbi RFJ-në, Millosheviqi u arrestua dhe u dërgua në Hagë, ku u gjykua para gjykatës me akuzën për krime lufte. Ai vdiq në burg në vitin 2006.

  • 1

    Radio