Aktuale Më shumë

Malin e Zi e presin sfida të shumta ekonomike dhe politike. Investitorët të shqetësuar

Prej tvteuta18:31, 29 Nëntor 2022

Në vitin e ardhshëm, Mali i Zi do të përballet me sfida të shumta, të cilat do të ndikojnë në rritjen ekonomike, u vlerësua në asamblenë e sotme të Këshillit të Investitorëve të Huaj në Mal të Zi, ku folën kryetari i Këshillit, Christoph Schoen dhe ambasadorja i Bashkimit Evropian në Mali i Zi, Oana Kristina Popa.

Një nga sfidat kryesore u potencua kriza politike dhe institucionale në vend. Schoen tha se në periudhën e mëparshme, pas një rimëkëmbjeje të fortë vitin e kaluar, ekonomia malazeze vazhdoi të rritet me një ritëm të qëndrueshëm në gjysmën e parë të këtij viti. “Rimëkëmbja pas pandemisë u shoqërua me një rritje të kërkesës së brendshme dhe të huaj dhe një rimëkëmbje të ndjeshme të sektorit të turizmit. Megjithatë, faktorët e jashtëm, lufta e Rusisë kundër Ukrainës, inflacioni dhe ndërprerjet e furnizimit kanë një ndikim të rëndësishëm në rimëkëmbjen dhe do të krijojnë efeke negative në të ardhmen”, tha Schoen.

Ai shtoi se një efekt negativ po aq i rëndësishëm për prosperitetin e ardhshëm dhe mjedisin e biznesit është kriza aktuale politike dhe institucionale, e cila vonon zbatimin e reformave të rëndësishme dhe ngadalëson procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. “Ne jemi të shqetësuar për reputacionin e Malit të Zi si një destinacion tërheqës për investimet e huaja dhe inkurajojmë aktorët politikë që të kapërcejnë dallimet e tyre përmes dialogut konstruktiv,” tha ai.

Sipas tij, vendi duhet të vazhdojë reformat e përgjegjshme fiskale me fokus zbatimin e reformave strukturore, të cilat duhet të fokusohen në përmirësimin e kushteve të tregut, heqjen e barrierave të biznesit, dhe tërheqjen e investitorëve të rinj. Ambasadorja Oana Kristina Popa tha se Mali i Zi duhet të fillojë zbatimin e reformave strukturore që duhet të çojnë në një ekonomi më fleksibile, funksionim më të mirë të tregut dhe përmirësim të klimës së investimeve. Ajo theksoi se vetëm stabiliteti politik i mundëson vendit të vazhdojë të përparojë në reformat kyçe për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe prioritet është reforma zgjedhore dhe gjyqësore, si dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

  • 1

    Radio