Aktuale Më shumë

Prezantimi i projektit: Gjuha shqipe nuk përdoret sa duhet në administratë. Situata më e rëndë në Komunën e Ulqinit

Prej tvteuta18:59, 8 Korrik 2022

Përdorimi i gjuhës shqipe në administratën publike në Mal të Zi, në komunat me shumicë ose përbërje të konsiderueshme të shqiptarëve, është në nivel aspak të kënaqshëm. Kjo edhe më keq në komunën ku përqindja e popullatës shqiptare është më e larta, atë të Ulqinit.

Këto janë rezultatet e projektit të realizuar me iniciativë të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, udhëhequr nga dr.Haxhi Shabani, i cili kishte për qëllim të pasqyronte se në çfarë mase përdoret gjuha shqipe në administratat e komunave ku jetojnë shqiptarët.

Paradoks përbën fakti se gjuha shqipe më shumë përdoret në ato komuna ku shqiptarët janë pakicë, ndërsa në Komunën e Tuzit, edhe pse e formuar vetëm para 3 viteve, përdorimi është në nivel mjaft të lartë, me tendencë të rritjes.

Dr. Shabani në prezantimin e tij sqaroi se në hulumtim është përfshirë gjendja aktuale dhe jo periudhat e kaluara, dhe se janë përqendruar në përdorimin e gjuhës shqipe në dokumentat zyrtar të administratës lokale, shkollave, si dhe mbishkrimet publike.

“Dallimi themelor është se në komunat ku shqiptarët kanë edhe ndikim edhe pushtet më të madh, përdorimi i gjuhës shqipe është më i ulët se në shkolla. Edhe një fakt tjetër që duhet ta përmend, gjuha malazeze , e vetme, në Komunën e Ulqinit përdoret në dokumenta më shumë se në komunat e tjera ku jetojnë shqiptarët, përjashtuar ato të Tivarit dhe Rozhajës. Sa i përket dygjuhësisë, ajo është prezente më së shumti në Komunën e Tuzit. “ – thotë dr.Shabani.

Sipas tij, arsyet kryesore të këtij fenomeni janë mungesa e traditës, mjeteve të duhura financiare, por sidomos e vullnetit, si institucioneve ashtu edhe të vetë folësve.

Dr.Shabani thotë se për të përmirësuar situatën duhet të ketë projekte dhe udhëzues konkret për të përcaktuar kur përdorimi i gjuhës është obligim i institucioneve, çka do të stabilizonte përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe.

Lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe në mbishkrimet publike, foli bashkëpunëtorja në projekt, Viola Avdiu, e cila theksoi se një ndër veçoritë kryesore që kanë vërejtur është përdorimi i madh i neutraliteteve gjuhësore.

“Përveç ndërkombëtarizmave, kemi edhe përdorim të gjuhës malazeze në mbishkrime publike,  sidomos në komunat e Plavës dhe Gucisë. Sa i pëket sinjalistikës rrugore, ato kryesisht janë në dy gjuhë.” -thotë Avdiu, duke shtuar se gjuha shqipe është një pasuri dhe për mbrojtjen e saj nuk duhet bërë kompromis.

Realizimi i projektit në fjalë, dhe sugjerimet që u prezantuan, ndoshta do të ndihmojnë që në të ardhmen të ketë një qëndrim më konkret të institucioneve publike për nevojën e përdorimit të gjuhës shqipe, por asgjë nuk do të ketë ndikim të mjaftueshëm, nëse nuk ka ndërgjegjësim të vetë atyre që e flasin këtë gjuhë. Arsyetimet që vijnë nga administrata publike, e sidmos nga ajo lokale e Ulqinit, për vështirësitë që kanë lidhur me këtë fenomen, jo vetëm që janë të pabaza, por tregojnë qartë nivelin e inkompetencës së saj, dhe mungesën e ndjeshmrisë për një problem kaq serioz. Kjo ka ndodhur në të kaluarën dhe po vazhdon edhe tani, pa marrë parasysh se kush  e drejton pushtetin lokal, partitë qytetare apo ato nacionale shqiptare.

  • 1

    Radio