Zjarrfikësit dhe Policia Komunale përballen me mungesë të kuadrove
Prej tvteuta18:51, 6 Prill 2021
Policia Komunale dhe Shërbimi i Mbrojtjes bën apel për respektimin e masave dhe ndalimit të ndezjes së zjarreve në ambiente të hapura.
Mungesa e kuadrove në Shërbimin e Mbrojtjes dhe Shpëtimit, për kryeshefin e këtij shërbimi Saubih Mehmeti është problematike. Ai u shpreh se tani në kohën e krasitjeve dhe pastrimit të livadheve, vreshtave e sidomos revitalizimi i ullishtës në Valdanos, rreziku është më i lartë.
“Kemi një situatë ku mbi 45 vite nuk është ndërhyrë në pastrimin dhe mirëmbajtjen e asaj pjese të ullishtes. Me lirimin e kësaj veprimtarie unë e shoh si një bombë, pra situatë e rrezikshme e mundësisë së përhapjes së zjarrit. Po të ndodhë ndonjë shpërthim zjarri nga brendësia e ullishtës mund të vijë deri tek një situatë e paparashikuar dhe e frikshme”, ka thënë kryeshefi i shërbimit.
Mehmeti apeloi tek të gjithë qytetarët e sidomos tek pronarët e ullishtiva në Valdanos që të jenë të kujdesshëm gjatë pastrimit të ullishtës dhe mbeturinat e degët e krasitura mos t’i djegin.
Policia Komunale është ajo që ka kompentencë për të bërë kontrollin e respektimit të ligjit për mos ndezjen e zjarrit në ambijente të hapura, por edhe në këtë sektor ka mungesë të kuadrove. Koordinatori i Policisë Komunale, Amir Mehmeti shprehet se policia Komunale përpiqet që të bëjë kontrollën e terrenit, por është e pamundur që të arrihet në të gjitha anët.
H.Nelaj