Sporti Më shumë

Wilderi synon meçin e katërt ndaj Furyt

Prej tvteuta20:51, 27 Shtator 2022

Deontay Wilder pret që Anthony Joshua të bëjë një rikthim në majat e boksit, ndërsa insiston se ende nuk e ka përfunduar punën e tij me Tyson Furyn.

Wilder humbi titullin e botës në kategorinë e rëndë në versionin WBC nga Fury, në një seri të paharrueshme përballjesh që kulmuan me një humbje drithëruese në meçin e tyre të tretë, vitin e kaluar. Amerikani Wilder tani po shtron rrugën e kthimit në nivelin për të sfiduar sërish titullin e më të mirit.

Boksieri amerikan përballet me Robert Heleniusin në një meç eliminator më 15 tetor dhe mund t’i duhet të boksojë me Andy Ruizin pastaj për t’u ngjitur në krye të renditjes së WBC-së. Wilder ende beson se do ta ketë edhe përballjen e katërt me Furyn.

“Unë mendoj se ka pa dyshim një shans për një luftë të katërt përsëri. Boksi është një biznes, shumë njerëz e quajnë sport, por nuk është sport”, insistoi ai. “Kategoria e rëndë është shumë e vogël. Unë jam ende një peshk i madh në biznes, veçanërisht këtu në Amerikë. Për sa kohë që ne jemi të gjithë në të njëjtin divizion dhe të gjithë ende luftojmë, pse mos të kemi edhe luftën e katërt me Furyn. Unë besoj në këtë mundësi”.

Një luftë për titull mund të dalë në horizont më shpejt sesa që Wilderi pret. Oleksandr Usyk, i cili mundi dy herë Joshuan për të fituar dhe për të mbajtur brezat e WBO-së, WBA-së dhe IBF-së, ka shfaqur pretendimet për ta sfiduar Wilderin.

“Kam dëgjuar për situatën e Usykut dhe ai do të jetë atje. Unë mendoj se Usyk është një njeri i fjalës. Nëse Usyk thotë se dëshiron të më japë një mundësi për titujt, atëherë unë jam i gatshëm”, insistoi Wilder. “Fillimisht me duhet ta përfundoj punën me Robertin dhe pastaj me padurim do ta pres sfidën e radhës, qoftë me Usykun apo dikë tjetër”.

Wilder po kthehet nga humbja dhe ai pret që Anthony Joshua të bëjë të njëjtën gjë. Joshua në fund të këtij viti mund të përballet me Furyn.

“Unë mendoj se Joshua ishte shumë i kujdesshëm dhe kam thënë gjithmonë se ai ka një problem të madh qëndrueshmërie. Unë mendoj se nëse mund ta korrigjoj këtë, Joshua do të kthehet sërish në majën e boksit”, u shpreh Wilder.

Përderisa po bëhet gati për meçin e radhës, Wilder e ka mendjen të Fury dhe beson se britaniku do të pranojë edhe një meç kundër tij. Boksieri amerikan insiston se nuk ka dështuar kundër Furyt dhe këtë do ta dëshmojë nëse i vjen mundësia, e që beson se do të ndodhë në të ardhmen e afërt.

“Unë nuk kam dështuar pasi nuk kam hequr dorë dhe do të insistoj në meçin e katërt me Furyn. Ende nuk kam mbaruar punë me të dhe besoj se ai këtë e ka parasysh”, është shprehur Wilderi.

  • 1

    Radio