Politikë

Aktuale Më shumë

Varhelji: Mali i Zi duhet të intensifikojë përpjekjet

Prej tvteuta12 October 2022

Komisioneri Evropian për Zgjerim Oliver Varhelji, prezantoi sot para komisionit për politikë të jashtme raportet për vendet që aspirojnë të jenë anëtare të bllokut. Lidhur me Malin e Zi, përmbushja e kritereve të përkohshme nga kapitujt 23 dhe 24 është prioritet në procesin e mëtejshëm të para-anëtarësimit drejt Bashkimit Evropian (BE). “Për ta arritur këtë, Mali i Zi duhet të intensifikojë përpjekjet e tij në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura, duke përfshirë ato si liria e shprehjes dhe liria e medias, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar,” tha Varhelji. Ai, duke prezantuar pakon e zgjerimit në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, tha se Komisioni Evropian i ka dhënë Malit të Zi të njëjtin vlerësim edhe vitin e kaluar, por se këto çështje ende janë shqetësuese. Varhelji theksoi se nevojiten hapa të mëtejshëm në drejtim të reformave thelbësore, duke përfshirë këtu emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. “Prandaj, ndërtimi i një konsensusi të të gjithë aktorëve politikë dhe një administrate publike funksionale për zbatimin e reformës publike janë të një rëndësie kyçe”, tha ndër të tjera Varhelji.