Rajoni/Bota Më shumë

Uniforma të policisë serbe në veri, Sveçla: Dëshmia e përfshirjes së Beogradit!

Prej tvteuta18:37, 1 Qershor 2024

Gjatë bastisjeve të kryera pasditen e së premtes në Leposaviç, njësitë e Policisë së Kosovës gjetën uniforma të ndryshme, përfshirë ato të policisë serbe dhe ushtarake.

Lidhur me këtë zhvillim reagoi sot ministri i brendshëm Xhelal Sveçla, i cili u shpreh i bindur se “mekanizmi terrorist i Serbisë në veri të Republikës së Kosovës”, siç e quajti ai, po çmontohet çdo ditë e më shumë.

“Pas informacioneve të shërbimeve të inteligjencës, nga kontrolli në një shtëpi në fshatin Isev i Poshtëm në Komunën e Leposaviçit u gjetën dhjetëra uniforma të policisë se rregullt dhe asaj speciale serbe si dhe pjesë të uniformave të Policisë së Kosovës.

Kjo është edhe një dëshmi e radhës se mekanizmat e sigurisë së Serbisë ishin dhe mbeten përgjegjëset e tentativës për destabilizim dhe aneksim të veriut të vendit tonë”, ka shkruar ministri në rrjetet sociale. Përpjekjet e Serbisë megjithatë për destabilizimin e vendit po parandalohen e po luftohen, sipas ministrit. “Është detyrë dhe detyrim i yni shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim, ndërkohë që është përkushtimi dhe vendosmëria jonë që me të gjitha mjetet ligjore të mbrojmë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë.

Të gjitha elementet terroriste që tentojnë destabilizim do të shkatërrohen pa kursim e përgjithmonë”, u shpreh ai.

Një ditë më parë sakaq, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative (BIRN) pohoi se ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçic, ka blerë pasuri të re të paluajtshme në një zonë të pasur të Beogradit, kjo në një kohë kur Prokuroria e Lartë Publike në kryeqytetin serb e akuzon Radoiçicin për disa vepra penale në lidhje me sulmin kundër Policisë së Kosovës në fshatit Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023, ku mbeti i vrarë një efektiv i policisë së Kosovës dhe tre agresorë serbë.

  • 1

    Radio